Nga Pap-testi te kolonoskopia dhe mamografia, Prof. Asoc. Teona Bushati shpjegon në emisionin “Diagnozë” nga utorja dhe moderatorja Freskida Miloti, pse kontrollet rutinë janë thelbësore për zbulimin e hershëm të kancerit dhe cilat shenja të lëkurës nuk duhen neglizhuar.
“Golden standard” i mjekësisë është parandalimi dhe jo vetëm kurimi. Ky është mesazhi që përcolli anatomopatologia Prof. Asoc. Teona Bushati në emisionin “Diagnozë”, teksa foli për rëndësinë e skriningut dhe zbulimit të hershëm të sëmundjeve kancerogjene.
Sipas saj, një nga problemet kryesore është fakti që shumë njerëz në Shqipëri i drejtohen mjekut vetëm pasi shfaqen simptomat.
“Çdo sëmundje kancerogjene fillon pa shenja, zhvillohet pa shenja, avancon pa shenja dhe kur ne kemi shenjat realisht jemi shumë vonë”, shprehet Bushati.
Ajo thekson se qëllimi i skriningut është pikërisht identifikimi i ndryshimeve patologjike përpara se ato të shndërrohen në një sëmundje të mirëfilltë.
“Skrining është pikërisht kjo që personi, pavarësisht se nuk ka asnjë simptomatikë, t’i drejtohet një kontrolli rutinë”, shpjegon anatomopatologia.
“Kanceri mund të zbulohet që në fazën qelizore”
Bushati nënvizon se në rastin e tumoreve, zbulimi në fazat e para mund të ndryshojë në mënyrë të rëndësishme trajtimin dhe prognozën.
Në rastin e kancerit të qafës së mitrës, për shembull, skriningu përmes Pap-testit mund të identifikojë ndryshime qelizore përpara zhvillimit të një kanceri invaziv.
Edhe për kancerin e zorrës së trashë, kolonoskopia mund të luajë rol parandalues, pasi gjatë ekzaminimit mund të evidentohen dhe hiqen polipet përpara se ato të evoluojnë në kancer.
“Një polip i vogël nuk jep shenja”, shpjegon Bushati, duke theksuar se heqja e tij në kohë mund të parandalojë zhvillimin e sëmundjes në vitet e ardhshme.
Kanceri po shfaqet edhe në mosha më të reja
Një tjetër shqetësim i ngritur gjatë bisedës ishte shfaqja e rasteve të kancerit në grupmosha më të reja.
Sipas anatomopatologes, ndërsa tradicionalisht sëmundjet onkologjike janë lidhur me moshat më të mëdha, tashmë në praktikën klinike po evidentohen raste edhe në dekadën e tretë dhe të katërt të jetës, madje edhe më herët.
Ajo e lidh këtë me një sërë faktorësh, përfshirë mënyrën e jetesës, ushqyerjen dhe ekspozimet mjedisore.
Nga mamografia te PSA dhe kontrollet imazherike
Prof. Asoc. Bushati përmend disa prej kontrolleve që mund të kenë rëndësi në varësi të moshës, faktorëve të riskut dhe historisë familjare.
Ndër to janë Pap-testi, mamografia, kolonoskopia, gastroskopia, si dhe ekzaminime të tjera të përcaktuara nga mjeku.
Për burrat, ajo përmend edhe matjen e PSA-së, ndërsa në raste të caktuara mund të rekomandohen ekzaminime imazherike, përfshirë skanerin me dozë të ulët për mushkëritë te personat me faktorë risku.
Mesazhi i saj është që kontrollet nuk duhet të bëhen në mënyrë të pakontrolluar, por të orientohen nga mjeku në bazë të moshës, historisë familjare dhe faktorëve individualë të riskut.
Kujdes me shenjat në lëkurë!
Në fokus të intervistës ishte edhe kanceri i lëkurës, veçanërisht gjatë sezonit të verës.
Bushati shpjegon se melanoma është ndër format më të rrezikshme të kancerit të lëkurës, por pjesa më e madhe e kancereve të lëkurës janë karcinoma të tjera, të lidhura në mënyrë të rëndësishme me ekspozimin ndaj rrezatimit diellor.
Një plagë apo puçërr që nuk shërohet për një periudhë të gjatë, një formacion që gjakoset, ndryshon ngjyrë, përmasë apo kufij, nuk duhet neglizhuar.
Sipas saj, një lezion i tillë duhet të vlerësohet nga dermatologu.
Ajo rekomandon gjithashtu që njerëzit të kontrollojnë periodikisht lëkurën dhe të krijojnë një lloj “ harte” të nishaneve dhe lezioneve, në mënyrë që ndryshimet të mund të evidentohen gjatë kontrolleve të mëvonshme.
“Çdo gjë që hiqet me kirurgji duhet të vlerësohet”
Një tjetër mesazh i rëndësishëm i anatomopatologes lidhet me ekzaminimin histopatologjik.
“Çdo gjë që hiqet me kirurgji duhet të çohet në laborator të anatomisë patologjike”, thekson Bushati.
Sipas saj, edhe një formacion që klinikisht mund të duket i padëmshëm mund të fshehë një patologji që vetëm ekzaminimi anatomopatologjik mund ta konfirmojë ose përjashtojë.
“Na është dhuruar koha dhe shëndeti”
Në fund të intervistës, Prof. Asoc. Teona Bushati përcolli një mesazh të drejtpërdrejtë për publikun:
“Ne na është dhuruar koha e cila ik dhe nuk kthehet dhe na është dhuruar shëndeti i cili po iku edhe ai është shumë vështirë të kthehet.”
Për të, pikërisht për këtë arsye shëndeti duhet menaxhuar në kohë dhe kontrolli nuk duhet të nisë vetëm pasi trupi të japë shenja.
“Duhet t’i paraprimë mirëqenies së shëndetit në kohë”, përfundon ajo.
Emisioni “Diagnozë”, nga autorja dhe moderatorja Freskida Miloti, vjen për teleshikuesit e A2 CNN çdo të shtunë në orën 18:00, me tema të rëndësishme që lidhen drejtpërdrejt me shëndetin. Qëndroni të informuar nga mjekë profesionistë, për një jetë dhe shëndet më të mirë. (A2 Televizion)