A mund të ndikojnë aromat, bimët mjekësore dhe mënyra e jetesës në mirëqenien fizike dhe emocionale? Sonila Vogli, erboriste, konsulente e aromoterapisë dhe me formim në psikologji, prej vitesh punon me një qasje që ndërthur natyrën, stilin e jetës dhe mirëqenien.
Pas rreth dy dekadash në Itali, Vogli është rikthyer në Shqipëri, ku në Krutje të Lushnjës ka ngritur një projekt që ndërthur kultivimin e bimëve mjekësore dhe trëndafilave me aromoterapinë, meditimin, teknikat e frymëmarrjes dhe aktivitetet në natyrë.
E nisur në vitin 2004 me studimet për erboristerinë në Firence, rruga e saj profesionale është zgjeruar më tej me ajurvedën, aromoterapinë dhe psikologjinë.
Si lidhen bimët mjekësore me psikologjinë?
Sipas Voglit, studimi i bimëve mjekësore i kishte dhënë një bazë të rëndësishme në njohjen dhe përdorimin e tyre, por i mungonte një element: lidhja me mendjen dhe emocionet.
Pikërisht për këtë arsye ajo iu drejtua psikologjisë, duke kërkuar një mënyrë për të ndërthurur trupin me gjendjen emocionale dhe mendore të individit.
Çfarë do të thotë shëndet holistik?
Koncepti i shëndetit holistik, tashmë i përdorur gjerësisht, e sheh njeriun përtej një simptome të vetme.
Vogli shpjegon se një dhimbje apo shqetësim nuk duhet parë i shkëputur nga pjesa tjetër e organizmit, por në raport me mënyrën se si mendon dhe jeton individi, nivelin emocional, aktivitetin fizik dhe marrëdhënien që ka me veten.
Në këtë qasje, ekuilibri nuk lidhet vetëm me gjendjen fizike, por me të gjithë qenien.
Aromoterapia, nga livandoja te trëndafili.
Një pjesë e rëndësishme e punës së saj është aromoterapia dhe përdorimi i vajrave esencialë.
Sipas Voglit, sistemi i nuhatjes është i lidhur ngushtë me emocionet dhe aromat mund të shoqërohen me përjetime të ndryshme emocionale.
Livandoja përdoret për relaksim, rozmarina për përqendrimin, ndërsa aroma e trëndafilit lidhet, sipas praktikës së saj, me qetësinë dhe mirëqenien emocionale.
Por përdorimi i vajrave esencialë kërkon edhe kujdes. Ato janë ekstrakte shumë të përqendruara të bimëve dhe përdorimi i tyre në lëkurë apo në mënyra të tjera duhet bërë duke marrë parasysh përqendrimin dhe karakteristikat e secilit vaj.
“Një parfum i krijuar sipas personit”
Aromoterapia është kthyer edhe në një mënyrë për të krijuar aroma të personalizuara.
Në rastin e një parfumi dedikuar moderatores Freskida Miloti, me bazë trëndafilin, Vogli sugjeroi një kombinim me temjanin si aromë bazë dhe portokallin e ëmbël si aromë të sipërme.
Ideja është që aroma të mos jetë vetëm një parfum, por të krijojë një kombinim të përshtatur me preferencat dhe karakteristikat e personit.
Aromat edhe në ambientet e shtëpisë
Vajrat esencialë përdoren edhe në ambiente të ndryshme, në varësi të efektit që kërkohet.
Për hapësirat ku studiohet apo punohet, Vogli përmend rozmarinën si një aromë që përdoret për përqendrimin. Për dhomën e gjumit dhe relaksimin përpara gjumit, ajo përmend livandon dhe melisën.
Ndërsa në ambiente të tjera, aromat e pishës, mentes apo rigonit përdoren për aromatizimin e hapësirës.
“Meditimi dhe shkëputja nga ritmi i përditshëm”
Pjesë e punës së Voglit janë edhe retreat-et, ku pjesëmarrësit shkëputen për disa ditë nga telefoni dhe rutina e përditshme.
Meditimi kombinohet me teknikat e frymëmarrjes, joga dhe përdorimin e aromave, në një proces që synon t’i rikthejë individit kohën dhe vëmendjen ndaj vetes.
Sipas saj, pas këtyre përvojave, disa njerëz fillojnë t’i dedikojnë vetes edhe në përditshmëri pak minuta në mëngjes apo në mbrëmje.
“Nuk mund të vraposh gjithmonë”
Puna me tokën dhe bimët, thotë Vogli, i ka mësuar se çdo gjë ka kohën e vet.
“Nuk mund të vraposh gjithmonë dhe nuk mund të kesh gjithçka në momentin që ti e do”, është një prej mesazheve që ajo përcjell nga përvoja e saj.
Kultivimi i bimëve kërkon kohë dhe durim, ndërsa e njëjta filozofi, sipas saj, mund të aplikohet edhe në jetën e përditshme.
Çfarë po i lodh njerëzit?
Sipas eksperiencës së saj, një prej faktorëve kryesorë të lodhjes mendore dhe fizike është ritmi i vazhdueshëm i jetës.
Njerëzit shpesh mbajnë mendjen të zënë gjatë gjithë kohës dhe shmangin përballjen me shqetësime apo dhimbje emocionale duke u angazhuar vazhdimisht me punë dhe aktivitete.
Pikërisht ndalimi dhe krijimi i një hapësire për veten mund të ndihmojë, sipas saj, në rikthimin e ekuilibrit.
Emisioni “Diagnozë”, nga autorja dhe moderatorja Freskida Miloti, vjen për teleshikuesit e A2 CNN çdo të shtunë në orën 18:00, me tema të rëndësishme që lidhen drejtpërdrejt me shëndetin. Qëndroni të informuar nga mjekë profesionistë, për një jetë dhe shëndet më të mirë. (A2 Televizion)