Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca refuzuan ftesën e ushtrueses së detyrës së presidentit, Albulena Haxhiu, për takim mes liderëve politikë, duke e cilësuar atë si tentativë për manipulim.
Në një konferencë për media, deputeti i PDK-së, Uran Ismaili, tha se Haxhiu duhej t’i drejtohej kryesuesit të seancës konstituive, Avni Dehari, për thirrjen e seancës, në vend që të ftonte liderët partiakë për diskutime. Ismaili akuzoi kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, se po shkakton kriza me synim që vendi të shkojë në zgjedhje të reja.
Më herët, edhe Aleanca kishte refuzuar ftesën e Haxhiut, duke e akuzuar atë dhe Kurtin se po kërkojnë të zvarrisin bllokadën institucionale deri në një datë që u përshtatet për mbajtjen e zgjedhjeve të reja.
Në një letër drejtuar Haxhiut, kryetari i Aleancës, Ardian Gjini, tha se ajo nuk ka mandat për të luajtur rolin e unifikueses së spektrit politik, pasi nuk është presidente e zgjedhur e Kosovës.
Haxhiu u ka dërguar liderëve të partive politike ftesë për një takim konsultativ më 18 gusht, me qëllim diskutimin e zhvillimeve politike dhe institucionale dhe arritjen e një marrëveshjeje për zgjedhjen e një presidenti konsensual.
Po ashtu, Kurti ka kërkuar që partitë të nisin diskutimet me emra konkretë për presidentin e ardhshëm, me synimin që të shmangen zgjedhjet e reja. (A2 Televizion)