Pas mesnatës së djeshme, Izraeli nisi një sulm në objektet bërthamore të Iranit dhe kundër drejtuesve të lartë ushtarakë.
Sipas mediave të huaja, shpërthime u raportuan në kryeqytetin e Iranit, Teheran, rreth orës 03:30 sipas orës lokale (01:00 BST).
Televizioni shtetëror iranian tha se zonat rezidenciale në Teheran u goditën, ndërsa shpërthimet u dëgjuan edhe në verilindje të kryeqytetit, shkruan A2 CNN.
Disa orë pas sulmeve fillestare, u raportua një shpërthim në impiantin bërthamor të Natanzit, i cili ndodhet rreth 225 km në jug të kryeqytetit, sipas mediave shtetërore iraniane.
Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike (IAEA), mbikëqyrësi global bërthamor, konfirmoi më vonë se objekti i Natanzit ishte goditur, duke shtuar se autoritetet iraniane e informuan se nuk kishte pasur rritje të niveleve të rrezatimit.
Ushtria izraelite tha se kishte goditur “dhjetëra objektiva ushtarake, duke përfshirë objektiva bërthamore në zona të ndryshme të Iranit”. (A2 Televizion)