Një ndërprerje e pazakontë e energjisë elektrike goditi të hënën pjesë të mëdha të Spanjës, Portugalisë, zonave të jugut të Francës dhe Andorrës, duke lënë për orë të tëra miliona njerëz pa energji. Teksa autoritetet hetuan shkaqet, eksperti i krimit kibernetik dhe sigurisë digjitale, Efrén Varón, ofroi një teori që ka ngritur shqetësim.
“Nuk më duket si sulm kibernetik klasik. Ka më shumë gjasa të jetë sabotim – qoftë nga grupe antisistemi, ambientalistë radikalë, apo edhe ndonjë formë terrorizmi teknik”, u shpreh Varón për gazetën La Región.
Sipas tij, një sulm kibernetik në kaq shumë shtete njëkohësisht është shumë kompleks dhe i vështirë për t’u realizuar pa u zbuluar paraprakisht. Ai theksoi mungesën e çdo informacioni paraprak apo paralajmërimi, çka e bën edhe më të dyshimtë situatën.
“Për të fikur një pjesë kaq të madhe të Evropës, duhen njohuri shumë të thella për infrastrukturën energjetike. Ky nuk është një ‘çelës’ që dikush e shtyp dhe e fik gjithë rrjetin”, shtoi eksperti, duke përmendur rolin që mund të luajë Qendra Kombëtare e Infrastruktures Kritike (CNTIC) në hetim, shkruan A2 CNN.
Ndërprerja nuk preku Kanariet, Balearët, Ceutën dhe Melillën, duke ngritur pyetje të tjera mbi natyrën selektive të incidentit.
Hetimet zyrtare vijojnë, por teoria e sabotimit po merr gjithnjë e më shumë vëmendje. (A2 Televizion)