Pas vendeve skandinave, Danimarkës dhe Polonisë edhe qeveria franceze planifikon të dërgojë "manuale mbijetese" për familjet në vend, me udhëzime se si të përgatiten për kërcënime të afërta si konfliktet e armatosura, krizat shëndetësore ose fatkeqësitë natyrore.
Nëse miratohet nga kryeministri François Bayrou, broshura me 20 faqe do t'u dërgohet familjeve franceze para verës. Fletëpalosja do të ndahet në tri pjesë me këshilla se si qytetarët mund të mbrojnë veten dhe ata që i rrethojnë, çfarë të bëjnë nëse një kërcënim është i pashmangshëm, ndërsa do të ketë edhe numrat e urgjencës dhe këshilla për të mbajtur dyert dhe dritaret të mbyllura nëse një kërcënim bërthamor është i pashmangshëm.
Broshura do të përfshijë gjithashtu detaje se si qytetarët mund të marrin pjesë në mbrojtjen e komunitetit të tyre, duke përfshirë regjistrimin në njësitë rezervë ose ekipet e zjarrfikësve.
Siç raporton Europe 1, fletëpalosja do të përfshijë edhe këshilla për një "kuti mbijetese" të përbërë nga të paktën gjashtë litra ujë, 12 kanaçe ushqimi, bateri dhe një elektrik dore, si dhe furnizime bazë mjekësore, si paracetamol, kompresa dhe kripë.
“Qëllimi i këtij dokumenti është të sigurojë qëndrueshmërinë e popullatës ndaj çdo lloj krize, qoftë ajo fizike, teknologjike, kibernetike apo e lidhur me sigurinë”, thotë një zëdhënës i zyrës së kryeministrit francez.
Zyra e kryeministrit francez nuk iu përgjigj kërkesës së The Guardian për konfirmimin e informacionit.
Raporti vjen pasi Emmanuel Macron tha se Franca do të përshpejtojë dhe rrisë porositë për avionët luftarakë Rafale, duke forcuar forcën ajrore të vendit "për t'u përgatitur nëse duam të shmangim luftën". (A2 Televizion)