Lajme aspak të mira vijnë nga lindja e Europës, pasi mund të kemi një përshkallëzim të ri të tensioneve midis Rusisë dhe NATO. Kështu është shprehur njeriu hije i Vladimir Putin, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov.
Reagimi i Peskov vjen pas paralajmërimit të fortë të bërë nga shefi i Aleancës së Atlantikut Verior, Jens Stoltenberg, për vendosjen e armëve bërthamore perëndimore në gatishmëri të lartë.
"Ky nuk është asgjë më shumë se një përshkallëzim i ri i tensionit. Vladimir Putin, ndryshe nga liderët perëndimorë "nuk i prek kurrë me iniciativën e tij", çështjet në lidhje me armët bërthamore, por e bën këtë vetëm "kur u përgjigjet pyetjeve të dikujt, pyetjeve të gazetarëve, përfshirë ato të huaja". Aq më tepër që fjalët e Stoltenberg bien ndesh me rezultatet e samitit në Zvicër për Ukrainën “të cilat pohojnë, në mos gaboj, papranueshmërinë e një retorike të tillë”.
NATO është në bisedime për të vendosur më shumë armë bërthamore, duke i nxjerrë nga magazinat dhe duke i vendosur në gatishmëri, përballë një kërcënimi në rritje nga Rusia dhe Kina, tha Stoltenberg për gazetën "The Telegraph". (A2 Televizion)