Nuk iu pranua padia kundër Dados, Veliaj kërkon drejtësi në Gjykatën Administrative të Apelit

Nga Anesti Barjamemaj
13 Gusht 2026, 11:17 | Politikë

Tri javë pasi Gjykata Administrative e Shkallës së Parë rrëzoi padinë për të shpallur pavlefshmërinë e dekretit të emërimit të Olsi Dados si prokuror, Erion Veliaj i është drejtuar Apelit.

Në një njoftim për mediat, të shpërndarë në mediat e tij sociale, kreu i Bashkisë së Tiranës edhe pse vijon të jetë në qeli pohon se do të vijojë betejën kundër prokurorit Ols Dado.

“Thelbi i çështjes është i thjeshtë: a mund të ushtrojë pushtetin penal të shtetit një person që pretendohet se është emëruar në kundërshtim me kriteret urdhëruese të ligjit? Pikërisht kësaj pyetjeje Gjykata nuk i dha përgjigje. Ajo e mbylli çështjen për mungesë legjitimimi, pa shqyrtuar në themel faktin se, në momentin e emërimit në vitin 2008, Ols Dado nuk kishte përfunduar Shkollën e Magjistraturës dhe, sipas padisë, nuk plotësonte asnjë nga kriteret ligjore përjashtimore që do të lejonin emërimin e tij si prokuror”.

Duke u ankuar se gjykata e shkallës së parë nuk shqyrtoi çështjen në themel, Veliaj thotë se kërkon të vendosë drejtësi që të gjithë shtetasit të jenë të barabartë para ligjit.

“Barazia para ligjit nuk mund të funksionojë vetëm për të akuzuarin. Edhe pushteti që heton dhe akuzon duhet të provojë se buron nga ligji. Pikërisht këtë kërkuam nga Gjykata Administrative e Shkallës së Parë dhe pikërisht këtë kërkojmë sot nga Gjykata Administrative e Apelit: asnjë imunitet për Kryetarin e Bashkisë, por asnjë imunitet nga kontrolli gjyqësor për prokurorin”.

Prej muajsh Erion Veliaj është duke u përballur në gjykatë me Ols Dado, pasi ky i fundit është prokurori që ka urdhëruar arrestimin e tij. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos