Lirohen të burgosurit, vendi futet në shtetrrethim kombëtar

Nga A2 CNN
26 Nëntor 2023, 22:15 | Bota

Lirohen të burgosurit, vendi futet në shtetrrethim kombëtar

Sierra Leone është vendosur nën një shtetrrethim mbarëkombëtar pasi njerëz të armatosur hynë në burgje, duke liruar të burgosurit. Të arrestuarit u liruan të dielën në mëngjes, tha ministri i Informacionit i vendit të Afrikës Perëndimore.

Më herët, personat e armatosur kishin sulmuar një kazermë ushtarake në kryeqytetin Freetown. Banorët raportuan se kishin dëgjuar të shtëna armësh në kazermat, të cilat ndodhen pranë rezidencës presidenciale.

Pas sulmit, Ministria e Informacionit shpalli një shtetrrethim të menjëhershëm. Banorëve në të gjithë vendin u rekomandohet të qëndrojnë brenda dhe fluturimet nga aeroporti i vetëm ndërkombëtar i vendit janë anuluar.

“Qendrat kryesore të paraburgimit, përfshirë Burgjet e Rrugës Pademba, u sulmuan më herët sot dhe në interes të mbrojtjes së jetës së civilëve (përfshirë të burgosurve), forcat e sigurisë u detyruan të bënin një tërheqje taktike”, shkroi ministri në rrjetin social X.

Një burim ushtarak i ka thënë BBC se disa nga personat e armatosur, përfshirë gardianin e ish-presidentit Ernest Koroma, janë arrestuar.

Nuk dihet se sa të burgosur u liruan, por videot e shpërndara në mediat sociale tregojnë disa njerëz që po iknin nga zona e burgut Central Pademba Road, të Freetown. Një video u shfaq për të treguar reperin e njohur Boss LAJ, i cili u burgos vitin e kaluar për akuzat e grabitjes, duke u arratisur.

Situata politike në Sierra Leone ka mbetur e tensionuar që nga qershori, kur presidenti Bio u rizgjodh. Vëzhguesit ndërkombëtarë kanë dënuar mospërputhjet dhe mungesën e transparencës në numërim, si dhe aktet e dhunës dhe frikësimit.

Në gusht, një numër ushtarësh u arrestuan dhe u akuzuan për komplot për një grusht shteti kundër presidentit.

Tetë vende në Afrikën Perëndimore dhe Qendrore janë nën sundimin ushtarak pas një sërë grushtesh shteti, përfshirë Guinenë fqinje. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos