Lirohet ish-princi britanik, shfaqet i tronditur pas arrestimit për abuzime me detyrën publike

Nga Rosalba Bejdo
20 Shkurt 2026, 10:19 | Bota

Pjesëtari i familjes mbretërore britanike dhe vëllai më i vogël i Mbretit Charles, Andrew Mountbatten-Windsor, u lirua nga paraburgimi pas arrestimit nga policia nën dyshimin për abuzime me detyrën publike, lidhur me pretendimet se i kishte dërguar dokumente konfidenciale qeveritare ish-financierit abuzues, Jeffrey Epstein.

Andrew, i cili të enjten mbushi 66 vjeç, u mor në pyetje nga policia dhe kaloi 12 orë në paraburgim. Më herët, autoritetet thanë se po shqyrtonin pretendimet se ai i kishte dhënë dokumente të klasifikuara Epstein-it, teksa shërbente si i dërguar për tregtinë.

Arrestimi i një anëtari të lartë të familjes mbretërore, i teti në radhë për fronin, është diçka e paprecedentë në kohërat moderne, shkruan A2 CNN. Edhe pse Pallati Buckingham nuk u informua paraprakisht për arrestimin, Mbreti Charles tha se autoritetet kishin mbështetjen e plotë të familjes.

“Mësova me shqetësimin më të thellë mbi lajmin për Andrew dhe dyshimet për abuzime me detyrën. Më lejoni të jem i qartë: ligji duhet të ndjekë kursin e vet”, ishin fjalët e mbretit britanik.

Lirohet ish-princi britanik, shfaqet i tronditur pas arrestimit për abuzime

Imazhe të publikuara në media tregojnë ish-princin teksa largohet nga rajoni i policisë në Aylsham, në Anglinë Lindore. Në një prej fotove, 66-vjeçari shfaqet dukshëm i tronditur, teksa ndodhet në sediljen e pasme të automjetit të tij.

Policia tha më vonë në një njoftim se i arrestuari është liruar, ndërsa hetimet vazhdojnë.

Mountbatten-Windsor, djali i dytë i Mbretëreshës Elizabeth II, ka mohuar vazhdimisht shkelje të mundshme lidhur me Epstein dhe ka thënë se ndjen pendesë për miqësinë me të. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos