Ukraina përjetoi orë të vështira. Rusia lëshoi një sulm të ashpër me dronë duke vrarë 4 persona dhe plagosur 21 të tjerë në qytetin e Dnipros. Këtë e konfirmuan autoritet lokale duke sqaruar se në shënjestër përfunduan një kompleks restorantesh dhe disa ndërtesa banimi, të cilat u kapluan nga flakët.
“Armiku lëshoi mbi 20 dronë në qytet”, sqarojnë zyrtarët duke theksuar se shumica prej tyre u rrëzuan. Imazhet që dolën nga Dnipro shfaqin zjarrfikësit duke luftuar me flakët në ndërtesa, xhama të thyer si dhe mbetje në rrugët e qytetit. Gjatë natës, sirenat e alarmit nuk kanë pushuar edhe në rajonet e tjera të Ukrainës, përfshirë kryeqytetin Kiev. Ministria e mbrojtjes e Rusisë njoftoi se 3 dronë ukrainas janë rrëzuar në rajonin kufitar të Belgorodit.
Në videon e tij të adresimit për qytetarët, presidenti Volodymyr Zelenski, akuzoi sërish Moskën se po shënjestron infrastrukturën energjetikë të Ukrainës, në shkelje të armëpushimit të pjesshëm të dakorduar më herët këtë muaj në bisedimet e paqes që përfshinë dhe Shtetet e Bashkuara.
Gjithashtu edhe Rusia ka akuzuar vazhdimisht Kievin për sulme në sektorin energjetik. Presidenti Vladimir Putin sugjeroi këtë javë që Ukraina të vihet nën kontrollin e Kombeve të Bashkuara për të organizuar zgjedhje, siç pretendoi ai, për të nxjerrë një qeveri më kompetente.
Kjo është parë si kërkesa e radhës e Kremlinit për të sfiduar legjitimitetin e kabinetit të Kievit, një lëvizje që është dënuar gjerësisht nga aleatët e Zelenskit. Ukraina akuzon Putinin për propozim të ideve të çmendura për të shtyrë lëvizjet drejt një armëpushimi të madh të vulosur nga presidenti amerikan, Donald Trump. Uashingtoni njoftoi së fundmi pajtimin për një armëpushim në Detin e Zi. (A2 Televizion)