Lufta e tarifave, skema e italianëve për të “mashtruar” Trumpin përfshin San Marinon

Nga A2 CNN
4 Prill 2025, 20:06 | Bota

Lufta e tarifave, skema e italianëve për të

Republika e San Marinos po përfiton nga një situatë e veçantë tarifore. Shtetet e Bashkuara kanë vendosur që për këtë mikroshtet do të aplikohet një tarifë doganore vetëm 10%, që është niveli më i ulët i vendosur nga administrata Trump për vendet e tjera.

Lajmi u konfirmua nga Luca Beccari, Sekretari i Shtetit për Punët e Jashtme të San Marinos, i cili tha se janë ende në një fazë paraprake dhe po monitorojnë zhvillimet.

“Kemi marrë konfirmim, edhe nëpërmjet Konsullatës Amerikane në Firence, se norma doganore e aplikuar nga SHBA ndaj Republikës së San Marinos për momentin është 10%. Jemi ende në një fazë paraprake dhe po e monitorojmë situatën, duke qenë të vetëdijshëm se bëhet fjalë për vendime të njëanshme që mund të ndryshojnë”, shpjegoi në një konferencë shtypi Luca Beccari.

Tarifa doganore prej 10% teorikisht mund t’i japë një avantazh konkurrues Republikës së vogël, e cila është “kursyer” pjesërisht nga presidenti amerikan. Kjo tarifë është gjysma e asaj që zbatohet për eksportin italian dhe evropian – edhe pse përmasat dhe karakteristikat e eksportit nuk janë të krahasueshme. Duke parë këtë përparësi të mundshme, disa kompani po shqyrtojnë mundësinë e hapjes së një baze operative në San Marino.

Shembujt nuk mungojnë, pasi në San Marino janë vendosur selitë tregtare të dhjetëra kompanive të import-eksportit që përfitojnë nga taksat e favorshme të shtetit. Sipas burimeve, shumë sipërmarrës kanë kërkuar informacion për të parë nëse është e leverdishme të hapin një degë atje, për shkak të tarifave më të ulëta.

Telefoni i Dhomës së Tregtisë vazhdon të bjerë dhe nuk janë vetëm italianët që telefonojnë, por edhe sipërmarrës nga vende të tjera të BE-së, sidomos ata që operojnë në sektorët më të ekspozuar ndaj tregut amerikan dhe që rrezikojnë më shumë nga tarifat doganore.

Pyetjet janë dy: a është e vërtetë që dogana është vetëm 10% dhe çfarë duhet të bëj për të hapur një kompani në San Marino?

Denis Cecchetti, drejtor i përgjithshëm i Agjencisë për Zhvillim – Dhoma e Tregtisë e San Marinos, tha: “Duhet të them se jemi pak të habitur, sepse shumë nga ata që na kontaktojnë nënvlerësojnë faktin se nuk është aq e thjeshtë sa mendojnë. Po përfundojmë një proces që do të na çojë drejt aderimit në Bashkimin Evropian si një vend “i asociuar”, që do të na bëjë pjesë edhe më të integruar të sistemit ekonomik dhe të mundësive të BE-së”.

Sa i përket interesit të mundshëm nga kompanitë italiane, qeveria ka sqaruar se çdo gjë do të vlerësohet me kujdes.

Po e ndjekim me kujdes analizën e dinamikave globale tregtare dhe interesin e mundshëm për juridiksionin tonë për shkak të kushteve të reja doganore. Megjithatë, çdo skenar po vlerësohet me pragmatizëm të madh dhe me një fokus të veçantë në qëndrueshmërinë dhe ndikimin në ekonominë tonë, e cila është e lidhur ngushtë me atë evropiane dhe italiane”, tha Marco Gatti, sekretar i Shtetit për Financat dhe Buxhetin.

Në të njëjtën linjë ishte edhe sekretari i Shtetit për Industrinë, Rossano Fabbri.

Po vlerësojmë me pragmatizëm çdo mundësi që vjen nga politikat doganore ndërkombëtare, edhe nëse janë dritare specifike dhe të përkohshme. Por strategjia jonë industriale mbetet e lidhur fort me rrugën e Asociimit me BE-në, për të siguruar qasje të qëndrueshme dhe strukturore në tregun e përbashkët, që është jetik për rritjen dhe inovacionin e kompanive tona”, deklaroi Fabbri.

Edhe vetë bizneset në San Marino shprehin kujdes. William Vagnini, sekretari i përgjithshëm i shoqatës së industrisë, ka pohuar se edhe një tarifë prej 10% është një barrë për kompanitë, dhe se janë të shqetësuar për pasojat që mund të sjellë tarifa 20% për BE-në dhe Italinë – dy partnerët kryesorë tregtarë të San Marinos. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos