Zbulohet fytyra e Pikachu-s që u dha "jetë" protestave kundër Erdogan në Turqi

Nga A2 CNN
4 Prill 2025, 18:27 | Bota

Politika nuk ka qenë kurrë pikë e fortë për Hassan Taskan. “Nuk jam marrë me politikë, nuk jam interesuar asnjëherë”, thotë 21-vjeçari nga Antalia.

Ai është më i magjepsur nga palestra, heronjtë e librave komikë dhe videot humoristike në rrjetet sociale.

Më shumë se 120,000 veta e ndjekin në Instagram, ku kryesisht ngarkon video dhe foto nga stërvitja në palestër, por askush nuk e dinte që ishte pikërisht Hassan, personi, që i maskuar si Pikachu vraponte për t’i shpëtuar policisë në rrugët e Antalias, gjatë protestave kundër presidentit turk Rexhep Tajip Erdogan.

Tashkenti mori të gjithë vëmendjen gjatë protestave në mbështetje të kryebashkiakut të arrestuar të Stambollit, Ekrem Imamoglou, i cili ndodhet në paraburgim nën akuza për korrupsion dhe mbështetje të terrorizmit.

Arrestimi i Imamoglu u pa si një lëvizje e Erdogan për të hequr qafe kundërshtarin e tij të vetëm serioz në prag të zgjedhjeve presidenciale.

Pikachu simbol i protestës

Turqia ka qenë në trazira që atëherë. Qindra mijëra qytetarë dalin në rrugë çdo ditë, me autoritetet duke bërë të paktën 2000 arrestime. Vala e protestës nuk tregon shenja pakësimi dhe diku aty, në rolin e një protagonisti të padëshiruar, është Taskan. Influencueri u bë krejt papritur një simbol i rezistencës turke.

Kjo ndodhi pas një video të publikuar në rrjetet sociale të dielën e kaluar, nga një demonstratë në Antalia. Mes protestuesve, një Pikachu gjigand shihet duke ecur në rrugë. Pikachu ndjek turmën e në të tjera raste shihet duke vrapuar prej policisë. Brenda maskës gjigande ishte as më shumë e as më pak, por i riu Hasan Taskan.

Ideja për Pikachu-n

Duke folur për revistën Der Spiegel, 21-vjeçari turk shpjegon se fillimisht i ka ndjekur protestat nga larg. “Ngjarjet po ecnin me shpejtësi, mediat sociale u mbushën me video dhe të gjithë miqtë e mi ishin jashtëzakonisht të shqetësuar”, thotë ai.

Në ditën e tetë të protestave, ai vendosi të ndërhyjë në mënyrën e tij. "Doja të zbutja disi atmosferën. Kështu që vendosa të maskohem dhe të kaloj nëpër turmë."

Taskan tha se qëllimi i tij ishte t'i bënte njerëzit të qeshin. Nuk ishte hera e tij e parë. Filloi me një kostum dinosauri, më pas erdhi një alien dhe më në fund, Pikachu. Ai e zgjodhi figurën e Pikachu, sepse ai është "shumë i ëmbël, shumë i njohur dhe ndoshta më i famshmi".

Pamja e Taskan u bë virale dhe bëri xhiron e botës. Tani, protestat anti-Erdogan janë të vështira për t'u kuptuar pa praninë e personazhit Pokemon. Qoftë në postera, flamuj, kafshë pellushi apo maskime, Pikachu është i pranishëm si në Turqi ashtu edhe jashtë saj.

 
 
 
 
 
View this post on Instagram
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 

A post shared by HIDDEN® (@hidden.ny)

"Nuk e kisha imagjinuar kurrë se ajo që bëra do të kishte një ndikim të tillë. Mendoj se kjo është kryesisht për shkak të vetë Pikachu-s", komentoi ai.

Një anëtar i partisë opozitare CHP, partia e Imamoglu, e përshëndeti Pikachu-n duke e cilësuar "një shembull të shkëlqyer të krijimtarisë së Gjeneratës Z" që ndihmoi në zbutjen e tensionit.

Reagimet

Megjithatë, jo të gjithë e panë lëvizjen pozitivisht. Media shtetërore e cilësoi praninë e Pikachu "luftë psikologjike" nga opozita. Kundërshtimet u ngritën edhe nga ana e disa protestuesve. Disa mendojnë se Pokémon zbeh seriozitetin e ngjarjeve dhe tallet me protestën.

Vetë Taskan shprehet se për disa ditë ka shmangur daljen nga shtëpia, përveç disa vizitave në familje, pasi e pranon se arrestimet në protesta e trembën atë.

Megjithatë, ai vazhdon të ngarkojë video të paraqitjeve të tij në Instagram dhe, pavarësisht distancimit fillestar nga politika, i mbyll postimet e tij me një mesazh që vështirë se tingëllon politik.

"Unë ëndërroj për një Turqi ku të gjithë të rinjtë mund të jetojnë të lumtur. Një Turqi ku të gjithë do të kenë lirinë të shprehin lirisht mendimet e tyre", shkruan 21-vjeçari. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos