Lufta ndaj dronëve, ekspertët gjermanë: Nuk ka mbrojtje 100% ndaj tyre

Nga A2 CNN
5 Tetor 2025, 15:16 | Bota

Pas mbylljes së dy pistave në aeroportin e Mynihut për shkak të dronëve të dyshuar, një ekspert gjerman i mbrojtjes deklaron se nuk ekziston mbrojtje 100% ndaj tyre. Megjithatë, teknologjia e zhvilluar nga kompania Aaronia po përdoret gjithnjë e më shumë nga ushtritë dhe policitë në mbarë botën.

"Nuk ka mbrojtje njëqind për qind, le të jemi të qartë për këtë. Kjo është arsyeja pse klientët vijnë tek ne – sepse arrijmë të zbulojmë edhe dronë të ndërtuar posaçërisht për të shmangur zbulimin", tha Stephan Kraschansky.

Aaronia ka mbi 700 stacione zbulimi dronësh në mbarë botën, përfshirë Ukrainën. Njësitë e saj mobile janë përdorur edhe në samitet e G20 dhe NATO-s. 

"Ky automjet është i pajisur me një pengues unik të sinjaleve që mund të programohet lirisht. Pra, mund të ndalim dronë civilë dhe ushtarakë, pa pasur nevojë të qëllojmë", shtoi eksperti.

Sipas Stephan Kraschansky, në vend të ndalesës totale të dronëve civilë, zgjidhja është rregullimi i përdorimit dhe mbrojtja e infrastrukturës kritike. Ai paralajmëron se sulmet me dronë në zonat civile duhet të shmangen me çdo kusht.

"Unë dua të shmang që dronët të rrëzohen në zona civile për aq kohë sa është e mundur. Por, sistemi ynë duhet të jetë në gjendje të japë koordinatat e sakta për çdo ndërhyrje kinetike", përfundon ai.

Ndërkohë, autoritetet gjermane nuk kanë zbuluar ende kush qëndron pas incidenteve me dronë në aeroportin e Mynihut, por Europa po përgatitet për një sfidë të re ajrore që kërkon zgjidhje të shpejta dhe efikase. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos