Presidenti rus Vladimir Putin ka paralajmëruar se nëse Shtetet e Bashkuara furnizojnë Ukrainën me raketa të avancuara Tomahawk për sulme në thellësi të territorit rus, atëherë kjo do të çojë në shkatërrimin e marrëdhënieve mes Moskës dhe Uashingtonit.
“U diskutua për furnizimin me sisteme të reja armësh, përfshirë ato me rreze të gjatë dhe precizion të lartë si Tomahawk. E kam thënë më parë dhe po e përsëris: kjo do të çojë në shkatërrimin e marrëdhënieve tona, apo të paktën të prirjeve pozitive që kishin nisur të shfaqeshin", tha Putin.
Zëvendëspresidenti amerikan JD Vance, muajin e kaluar, konfirmoi se Uashingtoni po shqyrton një kërkesë nga Kievi për të marrë raketat Tomahawk. Vendimi përfundimtar ende nuk është bërë publik.
Nga ana tjetër, Presidenti Trump ka shprehur zhgënjimin e tij për Putinin, duke e cilësuar Rusinë si një "tigër prej letre" për dështimin në përmbysjen e rezistencës ukrainase. (A2 Televizion)