
Irani dhe aleatët e tij po shqyrtojnë hapjen e fronteve të reja në Lindjen e Mesme, përfshirë aktivizimin e ngushticës strategjike Bab al-Mandab, si përgjigje ndaj sulmeve izraelite në Liban. Një lëvizje e tillë mund të shkaktojë tronditje të mëdha në tregtinë globale dhe në tregjet ndërkombëtare të energjisë.
Sipas raportimeve të CNN, Bab al-Mandab ndodhet në skajin jugor të Detit të Kuq dhe përbën një korridor jetik detar që lidh Evropën me Azinë përmes Kanalit të Suezit. Me një gjerësi prej vetëm 29 kilometrash në pikën më të ngushtë, ajo konsiderohet një nga nyjet më të rëndësishme të transportit detar në botë.
Ngushtica ka qenë edhe më herët në qendër të tensioneve rajonale. Në fund të vitit 2023, rebelët Huthi të Jemenit, të mbështetur nga Irani, nisën sulme ndaj anijeve tregtare që kalonin në këtë rrugë detare, si reagim ndaj luftës së Izraelit në Gaza. Sulmet detyruan kompanitë e transportit të ndryshonin itineraret, duke zgjedhur rrugë më të gjata dhe më të kushtueshme.
Ekspertët vlerësojnë se rreth 15 për qind e tregtisë globale detare kalon përmes Bab al-Mandab. Ndërprerjet e mëparshme të lundrimit në këtë zonë, gjatë viteve 2023-2025, i kanë kushtuar ekonomisë globale rreth 20 miliardë dollarë në vit.
Megjithatë, pavarësisht tensioneve të vazhdueshme, ngushtica ka mbetur e hapur dhe ka shërbyer si një rrugë kyçe për eksportet e naftës, veçanërisht për Arabinë Saudite, eksportuesin më të madh të naftës bruto në botë. (A2 Televizion)