Miq dhe rivalë u bën bashkë në një sallë për të ndjekur fjalimin për Gjendjen e Kombit në Shtetet e Bashkuara. Presidenti amerikan, Donald Trump, përmendi shumë çështje nga tarifat, ekonomia, luftërat, rendi botëror dhe emigracioni në adresimin më të gjatë në histori, 1 orë e 47 minuta.
“Epoka e artë e Amerikës është mbi ne. Revolucioni që filloi në vitin 1776 nuk ka mbaruar. Ai vazhdon ende sepse flaka e lirisë dhe pavarësisë ende digjet në zemrën e çdo patrioti amerikan. Dhe e ardhmja jonë do të jetë më e madhe, më e mirë, më e ndritshme, më e guximshme dhe më e lavdishme se kurrë më parë”, tha Trump.
Sa i përket luftërave, përsëriti sërish se u dha fund 8 konflikteve në botë, përfshirë atë mes Serbisë dhe Kosovës. Presidenti amerikan nënvizoi në Kongres se nuk do të lejojë kurrë që Iranit të ketë një armë bërthamore, teksa e akuzoi si sponsorizuesin më të madh të terrorizmit. Trump sinjalizoi një goditje ndaj shtetit të Ajatollahut, regjim të cilin e akuzoi se ka vrarë 32 mijë protestues në muajt e fundit.
“Preferenca ime është ta zgjidh këtë problem përmes diplomacisë. Por një gjë është e sigurt, unë kurrë nuk do të lejoj që sponsori numër një i terrorizmit në botë, të ketë një armë bërthamore. Po zhvillon raketa të afta për të goditur Europën dhe Shtetet e Bashkuara. Prandaj nuk do ta lejoj kurrë që të ketë armë bërthamore”.
Lidhur me emigracionin bëri të ditur se do të lejojë hyrje të reja në Shtetet e Bashkuara, por vetëm ligjërisht.
“Në nëntë muajt e fundit asnjë imigrant i paligjshëm nuk është pranuar në Shtetet e Bashkuara. Por ne gjithmonë do t'i lejojmë njerëzit të vijnë ligjërisht. Njerëz që do ta duan vendin tonë dhe do të punojnë shumë për ta ruajtur atë.”
Në këtë pikë të fjalimit, ndodhi një incident. Përfaqësuesja demokrate e SHBA-së, Ilhan Omar, e ngacmoi Presidentin duke bërtitur: “Keni vrarë amerikanë!”, ndërsa Trump akuzoi demokratët se nuk i kanë dhënë përparësi qytetarëve amerikanë mbi emigrantët e paligjshëm. Kreu i Shtëpisë së Bardhë lavdëroi arritjet e tij ekonomike gjatë fjalimit më të gjatë për Gjendjen e Kombit, duke ia atribuuar këtë sukses, tarifave të tij të diskutueshme globale, të cilat u rrëzuan nga Gjykata Supreme më pak se një javë më parë.
Gjatë adresimit të Trump, ndodhi dhe një incident tjetër. Përfaqësuesi demokrat nga Teksasi, Al Green, u përjashtua nga salla e Dhomës së Përfaqësuesve gjatë fjalimit, pasi në duar mbante një pankartë ku shkruhej “Njerezit me ngjyrë nuk janë majmunë!” me shkronja kapitale. Trump kohët e fundit u kritikua gjerësisht pasi në llogarinë e tij në mediat sociale u postua dhe më pas u fshi, një video që paraqiste ish-Presidentin e SHBA-së Barack Obama dhe ish-Zonjën e Parë Michelle Obama si majmunë. (A2 Televizion)