Lufta shtrihet në Detin e Kuq, pas SHBA edhe fregata franceze rrëzon dronët e rebelëve jemenas

Nga A2 CNN
10 Dhjetor 2023, 09:23 | Bota

Lufta shtrihet në Detin e Kuq, pas SHBA edhe fregata franceze rrëzon

Franca njoftoi rrëzimin e dy dronëve në Detin e Kuq.  Sipas shtabit të përgjithshëm të mbrojtjes kombëtare në Paris, fregata e marinës franceze intervenoi të shtunën mbrëma pasi dronët po lëviznin drejt tyre nga bregu i Jemenit.

Përgjimi dhe asgjësimi i dy kërcënimeve u bë në orën 22:30 dhe në orën 00:30, 110 kilometra nga bregu i Jemenit, në lartësinë e Hodaidës nga fregata me shumë misione Languedoc”, sqarohet në deklaratën për shtyp.

Incidenti në Detin e Kuq vjen vetëm një javë pasi një shkatërrues amerikan rrëzoi tre drone dhe u dha ndihmë tre anijeve tregtare të shënjestruara nga sulmet e rebelëve Houthi të Jemenit.

Uashingtoni sakaq ka denoncuar një kërcënim në rritje për sigurinë detare të anijeve të transportit të mallrave në Detin e Kuq. Në krahun tjetër, rebelët Houthi kërcënuan të shtunën se do të sulmojnë çdo anije që kalon aty dhe ka për destinacion Izraelin nëse ndihma humanitare nuk shpërndahet për popullsinë e Rripit të Gazës.

Rebelët shiitë, të cilët kontrollojnë kryeqytetin e Jemenit, Sanaa, dhe pjesën më të madhe të veriut të vendit, janë pjesë e asaj e të ashtëquajturës "Boshti i Rezistencës" kundër Izraelit, së bashku me grupe të tilla si Hamasi palestinez dhe Hezbollahu libanez, të cilët mbështeten nga Irani.

Në një deklaratë në mediat sociale, Houthi-t thanë se do të "bllokojnë kalimin e anijeve të drejtuara për në entitetin sionist" nëse banorët e enklavës palestineze, e cila është bombarduar nga Izraeli për më shumë se dy muaj, nuk marrin ushqime dhe medikamente. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos