Lufta Trump-Musk, NASA rrezikohet nga kriza më e madhe

Nga Rosalba Bejdo
8 Qershor 2025, 11:33 | Bota

Lufta e hapur mes Donald Trump dhe Elon Musk vijon dominojë titujt e shtypit botëror. Presidenti amerikan tha se marrëdhënia e tij me donatorin miliarder ka marrë fund dhe paralajmëroi me pasoja të rënda nëse Musk financon demokratët që garojnë kundër republikanëve, të cilët votuan projektligjin e debatuar për taksat dhe shpenzimet. Në një intervistë telefonike për NBC të shtunën, Trump refuzoi të thoshte se cilat do të ishin pasojat. I pyetur nëse ka ndonjë dëshirë për të riparuar marrëdhënien e tij me miliarderin, Trump u përgjigj me një jot ë prerë. Megjithatë ai tha se nuk ka diskutuar ende mbi mundësinë e një hetimi ndaj Musk, apo nëse do të mbyllte kontratat e qeverisë amerikane me StarLinki të Musk apo kompanitë e lëshimit të raketave Space X. 

Musk dhe Trump nisën të shkëmbenin fyerje e akuza këtë javë, teksa biznesmeni denoncoi projektligjin e Trump për shpenzimet dhe taksat, duke e cilësuar të neveritshëm. Grindja mes të dyve ka shtuar pasiguritë lidhur me të ardhmen e buxhetit të NASA-s që po përballet me shkurtime të mëdha. 40 misione shkencore të cilat janë në zhvillim ose që gjendet aktualisht në hapësirë rrezikojnë të pezullohen duke e çuar NASA-n në një prej krizave më të mëdha ne histori. 

Presidenti ka kërcënuar të ndërpresë kontratat federale me Space X të Musk, në flotën e së cilës NASA mbështetet për të rifurnizuar stacionin hapësinor me ekuipazh dhe furnizime.

Agjencia Hapësinore, po ashtu pritej të përdorte raketën Starship, të kompanisë së Musk, për të dërguar astronaut në hënë dhe më vonë në mars. Megjithatë sinjale kanë ardhur gjatë orëve të fundit, për një angazhim të të dyve për zbutje të tensioneve. Musk ka fshirë një sërë postimesh kritike ndaj Trump, mes të cilave edhe një ku kërkonte impeachment të presidentit. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos