Një kandidat presidencial kolumbian është qëlluar tri herë me armë zjarri; dy herë në kokë dhe një herë në gju, në një aktivitet zgjedhor në kryeqytetin Bogota.
Miguel Uribe Turbay, 39 vjeç, u sulmua ndërsa po i drejtohej një turme të vogël njerëzish në një park të shtunën. Policia arrestoi një të dyshuar 15-vjeçar në vendngjarje, thonë mediat lokale.
Gruaja e Uribes, Maria Claudia Tarazona, i bëri thirrje kombit të lutet për mbijetesën e tij. "Miguel aktualisht po lufton për jetën e tij. Le t'i lutemi Zotit të udhëheqë duart e mjekëve që po e trajtojnë atë", tha ajo, shkruan BBC, përcjell A2 CNN.
Partia Centro Democratico e Uribes e dënoi sulmin, duke thënë se ai rrezikonte "demokracinë dhe lirinë në Kolumbi".
Pamjet e filmuara me telefon të shpërndara në internet duket se tregojnë momentin kur ai u qëllua në kokë ndërsa po fliste, duke bërë që ata të iknin në panik.
Ai u transportua me helikopter në klinikën Sante Fe, ndërsa mbështetësit janë mbledhur jashtë spitalit, shkruan A2 CNN.
Qeveria e Presidentit të krahut të majtë Gustavo Petro tha se e dënoi "kategorikisht dhe me forcë" sulmin si një "akt dhune jo vetëm kundër personit të tij, por edhe kundër demokracisë".
Sekretari i Shtetit i SHBA-së, Marco Rubio, e dënoi sulmin dhe tha se të shtënat kanë një "kërcënim i drejtpërdrejtë për demokracinë".
Uribe njoftoi kandidaturën e tij për zgjedhjet presidenciale të vitit të ardhshëm në tetor. Ai vjen nga një familje e shquar politike në Kolumbi, me lidhje me Partinë Liberale të vendit. Babai i tij ishte udhëheqës sindikate dhe biznesmen.
Nëna e tij ishte Diana Turbay, një gazetare e cila u vra në vitin 1991 në një përpjekje për ta shpëtuar, pasi ishte rrëmbyer nga karteli i drogës Medellin, i drejtuar në atë kohë nga Pablo Escobar. (A2 Televizion)