Protesta në Los Anxhelos pas arrestimit të dhjetëra emigrantëve, Trump dërgon Gardën Kombëtare

Nga A2 CNN
8 Qershor 2025, 10:19 | Bota

Protesta në Los Anxhelos pas arrestimit të dhjetëra

Protesta të reja kanë shpërthyer në Los Anxhelos kundër bastisjeve nga autoritetet e imigracionit. Sipas raportimeve të mediave lokale, protestuesit u përleshën me policinë jashtë një dyqani të madh mobiljesh, Home Depot. Ndërkohë, dhjetëra njerëz u arrestuan për demonstratat e djeshme në qendër të qytetit.

Tom Homan, zyrtari kufitar i administratës së  Donald Trump, ka mbërritur në Los Anxhelos për të monitoruar nga afër bastisjet kundër emigrantëve.

Në një deklaratë për Fox News ai tha se Garda Kombëtare do të vendoset në Qarkun e Los Anxhelos pasi protestat kundër ICE vazhduan të përshkallëzoheshin të shtunën pasdite.

Protesta në Los Anxhelos pas arrestimit të dhjetëra

Presidenti Donald Trump foli në Truth Social për të kritikuar mosveprimin e udhëheqjes shtetërore dhe lokale.

"Nëse Guvernatori Gavin Newscum i Kalifornisë dhe Kryetarja e Bashkisë Karen Bass e Los Anxhelosit nuk mund ta bëjnë punën e tyre, gjë që të gjithë e dinë se nuk mund ta bëjnë, atëherë Qeveria Federale do të ndërhyjë dhe do ta zgjidhë problemin, trazirat dhe plaçkitësit, në mënyrën që duhet zgjidhur!!!" shkroi Trump.

Newsom u përgjigj në X, duke pretenduar se qeveria federale "po lëviz për të marrë përsipër Gardën Kombëtare të Kalifornisë" dhe për të vendosur 2,000 ushtarë.

Protesta në Los Anxhelos pas arrestimit të dhjetëra

"Ky veprim është qëllimisht nxitës dhe vetëm sa do të përshkallëzojë tensionet", shkroi Newsom. "Autoritetet e Los Anxhelosit janë në gjendje të marrin ndihmë nga zbatimi i ligjit në çdo moment. Ne jemi në koordinim të ngushtë me qytetin dhe qarkun, dhe aktualisht nuk ka asnjë nevojë të paplotësuar. Garda i ka shërbyer në mënyrë të admirueshme Los Anxhelosit gjatë gjithë rimëkëmbjes. Ky është misioni i gabuar dhe do të gërryejë besimin e publikut."

Newsom vuri në dukje se Kalifornia po vendos trupa shtesë të Patrullës Autostradore të Kalifornisë për të ruajtur sigurinë në autostradat e Los Anxhelosit "për të ruajtur paqen". (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos