Macron kërkon rritje të presionit ndaj “flotës në hije” të Rusisë

Nga A2 CNN
2 Tetor 2025, 16:13 | Bota

Macron kërkon rritje të presionit ndaj “flotës në

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, i bëri thirrje Evropës që të ndërmarrë veprime të koordinuara ndaj të ashtuquajturës “flotë në hije” të Rusisë dhe të ndjekë shembullin e Francës për të penguar këto anije që përdoren për të shmangur sanksionet perëndimore.

Franca aktualisht po heton një anije, të regjistruar në Benin, që dyshohet se është pjesë e qindra cisternave të vjetra, të futura në listën e sanksioneve nga Bashkimi Evropian nën akuza se po ndihmojnë Moskën për shmangien e kufizimeve për eksportet e naftës pas pushtimit të Ukrainës më 2022.

“Është jashtëzakonisht e rëndësishme që të rritet presioni për këtë 'flotë në hije', sepse qartësisht do të reduktonte kapacitetin financiar për këtë luftë”, tha Macron para udhëheqësve të mbledhur në Danimarkë.

Udhëheqësi francez sugjeroi që shtetet evropiane që janë pjesë e “koalicionit të vullnetit” – për mbështetjen e Kievit – duhet të koordinohen me NATO-n “për një veprim të përbashkët” sa i përket kësaj çështjeje.

Autoritetet franceze kanë arrestuar dy pjesëtarë të Boracay, anijes që gjendet në pjesën perëndimore të brigjeve të Francës, dhe nisën hetimin mbi “dështimin e ekuipazhit për të justifikuar nacionalitetin e anijes dhe refuzimit për të bashkëpunuar”.

Të dhënat nga gjurmimi i anijeve tregojnë se cisterna ka qenë pranë bregut danez muajin e kaluar, kur kishte fluturime misterioze të dronëve që rritën shqetësimet për sigurinë dhe detyruan autoritetet e Danimarkës që të mbyllnin aeroporte.

Mediat e kanë lidhur veprimin e Francës me fluturimet e dronëve, por kjo nuk është konfirmuar nga Parisi.

Macron tha se, përveç sigurimit që anijet të respektojnë rregullat ndërkombëtare, ndalime të tilla janë “shumë të rëndësishme” për të rritur presionin ndaj Moskës, për të goditur të ardhurat që i përdorë për luftën kundër Ukrainës dhe për ta detyruar që të negociojë.

“Flota në hije”, që besohet se përfshin deri në 1.000 anije, përfaqëson “dhjetëra miliarda euro të buxhetit të Rusisë” dhe “përbën 40 për qind të përpjekjes së saj luftarake”, tha udhëheqësi francez./ REL (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos