Një stuhi e fuqishme ka goditur jugun e Italisë, duke shkaktuar përmbytje të rënda në qytetin turistik Agrigento dhe zonën bregdetare të San Leone, ku rrugët janë kthyer në lumenj të rrëmbyeshëm dhe makinat janë marrë përpara nga uji. Pamjet dramatike të publikuara në rrjete sociale tregojnë makina që lundrojnë nëpër rrugë të mbushura me baltë dhe shtëpi të rrethuara nga uji, ndërsa banorët janë izoluar në banesat e tyre.
Autoritetet lokale raportojnë se një grua është zhdukur, pasi dyshohet se u mor nga vërshimi i ujit teksa tentonte të largohej nga automjeti i saj i bllokuar. Shërbimet e emergjencës vijojnë kërkimet në zonë, shkruan A2 CNN.
Stuhia ka ardhur si pasojë e mbetjeve të uraganit Gabrielle, i cili u transformua në një stuhi ekstratropikale, duke shkaktuar kaos në Ishujt Balearikë, Murcja dhe Valencia. Edhe Ibiza pak ditë më parë u përball me përmbytje masive.
Ndërkohë, Britania e Madhe po përgatitet për goditjen e Stuhisë Amy, që pritet të sjellë erëra deri në 130 km/h dhe reshje të dendura shiu në fundjavë. Zyra Meteorologjike ka shpallur alarme të shumta për përmbytje, rrëshqitje dherash, ndërprerje energjie dhe anulim të udhëtimeve. (A2 Televizion)