Donald Trump përcjell mesazhe konfuze sa i përket mundësisë së një ndërhyrje ushtarake në Venezuelë. Në një intervistë për CBS ai hodhi poshtë mundësinë e një lufte mes dy vendeve, por theksoi se ditët e liderit venezuelian Nikolas Maduro janë të numëruara.
I pyetur nëse vendi do të shkonte në luftë me Venezuelën, presidenti amerikan tha se nuk e mendonte diçka të tillë, edhe pse siç pohoi, “ata na kanë trajtuar shumë keq”.
Komentet e Trump vijnë ndërsa Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të godasin anije të pretenduara me drogë në Karaibe. Administrata amerikane këmbëngul se sulmet janë të nevojshme për të reduktuar fluksin e drogës që hyn në SHBA.
Presidenti Trump hodhi poshtë sugjerimet se veprimet e SHBA nuk synon të ndalonin trafikimin e drogës, por rrëzimin e Maduros, një kundërshtar i hershëm i tij.
Të paktën 64 vetë janë vrarë nga sulmet amerikane në Detin e Karaibeve dhe në Paqësorin lindor që prej fillimit të shtatorit. OKB dhe grupe për të drejtat e njeriut, thonë se sulmet që nisën në fillim të shtatorit përbëjnë vrasje të jashtëligjshme, edhe nëse shënjestrohen trafikantë të njohur.
Presidenti venezuelian, i cili përballet me akuza për trafikim droge në SHBA, e ka akuzuar Uashingtonin se po fabrikon një luftë të re, dhe se po gjen pretekst për të imponuar ndryshim të regjimit nëVenezuelë. Po ashtu homologu kolumbian Gustavo Petro thotë se sulmet ndaj anijeve po përdoren nga SHBA për të dominuar Amerikën Latine.
Media amerikane kanë raportuar se Uashingtoni po planifikon të sulmojë pozicione ushtarake në Venezuelë si pjesë e luftës kundër narko-trafikut. (A2 Televizion)
