Makina shpërthen në sheshin kryesor të Amsterdamit, disa ditë pas sulmit me thikë

Nga A2 CNN
3 Prill 2025, 17:30 | Bota

Një makinë ka shpërthyer në mënyrë të qëllimshme në sheshin Dam të Amsterdamit, me shoferin që doli jashtë mjetit teksa ishte në flakë.

Pamjet tronditëse tregojnë një makinë të kuqe që lëviz ngadalë drejt turmës dhe shpërthen rreth orës 13:30. Pak sekonda më vonë, shoferi 50-vjeçar holandez shihet duke dalë nga makina i përfshirë nga flakët, përpara se të shuhej me një fikëse zjarri dhe të arrestohej.

Për fat të mirë, asnjë kalimtar nuk u lëndua, por shoferi ka pësuar dëmtime serioze.

Policia e Amsterdamit deklaroi se shpërthimi ishte i qëllimshëm dhe dyshohet se shoferi ka dashur të vetëvritet duke përdorur një lëndë të djegshme brenda makinës. Ekspertët e eksplozivëve po hetojnë makinën për të kuptuar rrethanat e sakta të incidentit.

Kjo ngjarje ndodhi vetëm disa ditë pas një sulmi brutal me thikë në të njëjtin shesh.

Një 30-vjeçar nga Donjetsku i Ukrainës plagosi pesë persona të enjten e kaluar, përpara se të ndalohej nga një turist britanik. Britaniku, i cili ka mbetur anonim, e vuri sulmuesin në tokë dhe e mbajti derisa mbërriti policia.

Pesë viktimat ishin një çift amerikan, një polak, një belge dhe një vajzë 19-vjeçare nga Amsterdami. Katër prej tyre ndodhen ende në spital, por janë në gjendje të qëndrueshme. Kryetarja e bashkisë së Amsterdamit, Femke Halsema, e falënderoi britanikun për veprimin e tij heroik dhe i dha medaljen e qytetit "heldenspeld". (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos