Mamdani inkurajon të majtët në Europë, agjendë radikale socialiste për të frenuar dallgën e djathtë

Nga Rosalba Bejdo
6 Nëntor 2025, 15:09 | Bota

Ngritja befasuese e Zohran Mamdanit në drejtimin e qytetit të Nju-Jorkut ka inkurajuar partitë e së majtës nëpër Europë, se një agjendë e hapur radikale mund të ndalojë dallgën e ekstremit të djathtë në vendet e tyre. Partitë nga Londra në Berlin përshëndetën fitoren e Mamdanit, 34-vjeçarit që e përshkruan veten si demokrat socialist, videot virale dhe premtimet e të cilit për kontroll të qirave dhe taksa ndaj të pasurve në qytetin simbol të kapitalizmit global prekën telat e votuesve.

Parti si ajo e së Majtës në Gjermani dhe të Gjelbërve në Britaninë e Madhe shpresojnë të marrin vrull nga fitorja e Mamdanit, duke sinjalizuar se nuk do t’i zbehin politikat e tyre dhe as nuk do të tërhiqen në fushëbetejën e krahut të djathtë për migracionin, shkruan A2 CNN.

“Mendoj se ky është një lajm i mrekullueshëm. Shpresa ka triumfuar mbi urrejtjen. Kjo është e rëndësishme jo vetëm sepse ka rëndësi për Nju Jorkun. Në fakt, mendoj se kjo ka jehonë në mbarë botën. Ka të bëjë me përmirësimin e jetës së njerëzve, me njohjen e pabarazisë që ekziston në zemër të Nju Jorkut, por sinqerisht edhe në shumë vende të tjera të botës. Kjo ka të bëjë me thënien ‘le t’i ulim faturat për njerëzit dhe t’i taksojmë milionerët dhe miliarderët’. Dhe, më e rëndësishmja, kjo po bëhet duke treguar solidaritet të plotë me emigrantët, me personat transgjinorë, me personat me aftësi të kufizuara. Ne nuk duhet, në fakt nuk guxojmë, të vëmë komunitetet minoritare kundër luftës ndaj pabarazisë, sepse në të vërtetë pabarazia godet komunitetet minoritare më shumë se këdo tjetër”, tha Zack Polanski, lider i të Gjelbërve.

Në një mjedis të polarizuar politik, partia e Majta në Gjermani rezultoi një surprizë në zgjedhjet federale të shkurtit dhe shpreson të zgjerojë suksesin në zgjedhjet lokale të vitit të ardhshëm, përfshirë në kryeqytetin Berlin. Ashtu si politikanë të tjerë të majtë në Europë, anëtarë të saj vizituan Nju Jorkun gjatë fushatës. Të frymëzuar janë edhe të majtët në Francë, të cilët thonë se leksioni që morën nga fitorja e Mamdanit ishte se liberalizmi ekonomik duhej luftuar ashpër. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos