Marrëveshja me Republikën Islamike të Iranit është e përfunduar. Me këto fjalë presidenti amerikan Donald Trump njoftoi arritjen e një ujdie për ti dhënë fund luftës në Iran, pas ditësh të tensionuara mes negociatave dhe sulmeve të ndërsjella mes dy vendeve. Duke e cilësuar atë si një marrëveshje të madhe që do të sjellë stabilitet dhe paqe në Lindjen e Mesme, diçka që sipas tij shumë presidentë para tij kanë dështuar të arrijnë, kreu i Shtëpisë së Bardhë sqaroi se Ngushtica e Hormuzit do të rihapet të premten kur marrëveshja të firmosët në Zvicër, dhe se nafta do të rrjedhë sërish.
“Me këtë autorizoj plotësisht hapjen pa tarifa të Ngushticës së Hormuzit dhe njëkohësisht, autorizoj heqjen e menjëhershme të bllokadës detare të Shteteve të Bashkuara. Anije të botës, ndizni motorët! Le të rrjedhë nafta!”, deklaroi Trump.
Megjithatë në një intervistë të dhënë më vonë për Nju Jork Times, Trump kërcënoi se nëse Irani nuk do të arrijë një marrëveshje bërthamore përfundimtare me SHBA, ata do të rifillojnë sulmet ushtarake. Më herët gjatë së dielës zv. presidenti amerikan JD Vance tha për Fox News se marrëveshja me Iranin ka potencialin për të transformuar Lindjen e Mesme përgjatë 50 viteve të ardhshme.
“Së pari marrëveshja nënkupton hapjen e menjëhershme të Ngushticës së Hormuzit dhe, natyrisht, heqjen e bllokadës detare që kemi pasur ndaj Iranit. Së dyti, kjo do të thotë se Irani nuk do të ketë kurrë një armë bërthamore. Jo vetëm që nuk do të ndjekë zhvillimin e një arme bërthamore, por as nuk do të sigurojë apo të përpiqet të blejë një të tillë. Dhe gjëja e tretë është kjo, dhe dua të jem i qartë: Kjo ndodh vetëm nëse Irani e mban premtimin e tij”, tha Vance.
Po ashtu Irani konfirmoi arritjen e marrëveshjes përmes zv. ministrit të jashtëm, i cili e cilësoi si fitore për republikën Islamike. Ai theksoi se ujdia përfshin ndalim të menjëhershëm të luftimeve dhe operacioneve ushtarake në të gjithë frontet përfshirë Libanin.
"Ky memorandum mirëkuptimi u arrit pavarësisht mungesës sonë të plotë të besimit ndaj kundërshtarëve tanë. Ne nuk kemi besim te kundërshtari. Besimi ynë mbështetet te forca jonë ushtarake, aftësitë tona diplomatike dhe mbështetja e unitetit të popullit tonë.
Ndërsa ujdia nuk është bërë publike, mediat në Iran pretendojnë se ajo përfshin 14 pika, ndër të cilat angazhimin e Teheranit për të rihapur Hormuzin. Parashikohet ndalimi i luftimeve në të gjitha frontet, heqja e bllokadës amerikane ndaj Iranit brenda 30 ditëve dhe tërheqja e forcave të SHBA rreth Republikës Islamike.
60 ditë negociata do të zhvillohen me qëllimin e një marrëveshje përfundimtare për programin bërthamor dhe zhbllokimin e 24 miliardë dollarëve të pasurive të ngrira iraniane. Pakistani ndërmjetësues i negociatave, ishte ai që njoftoi i pari ujdinë. (A2 Televizion)