Një masakër ka goditur sot qytetin Graz në juglindje të Austrisë, ku një person i armatosur ka hapur zjarr brenda shkollës së mesme Dreierschützengasse.
Sipas agjencisë austriake të lajmeve APA, ngjarja ka ndodhur rreth orës 10:00 të mëngjesit.
Kryetarja e Bashkisë së Graz-it, Elke Kahr, ka deklaruar për APA se nga sulmi me armë janë vrarë nëntë persona, përfshirë shtatë nxënës, një të rritur dhe vetë autorin e dyshuar, i cili mendohet të ketë qenë nxënës në këtë shkollë, shkruan A2 CNN.
Policia e qytetit ka mbajtur një konferencë për shtyp ku ka konfirmuar se ka viktima dhe të plagosur, por nuk ka dhënë ende një bilanc të saktë. Megjithatë, sipas raporteve të mediave austriake, nëntë persona kanë humbur jetën, përfshirë edhe autorin e dyshuar, i cili besohet se është vetëvrarë.
Operacioni policor nisi menjëherë sapo u dëgjuan të shtënat në ambientet e shkollës. Forcat speciale Cobra, që trajtojnë situatat me sulme të armatosura dhe pengmarrje, janë vendosur në terren bashkë me forcat e zakonshme të policisë.
Shkolla tashmë është siguruar dhe autoritetet kanë deklaruar se nuk ka më rrezik për nxënësit dhe qytetarët. (A2 Televizion)