Nuk ka të ndalur dhuna në Nepal. Pas dorëheqjes së kryeministrit, protestuesit kanë i kanë vënë zjarrin parlamentit.
Grafite dhe mesazhe kundër korrupsionit janë shkruar me bojë në pjesën e jashtme të ndërtesës dhe dritaret janë thyer.
Një kompleks i madh në qytet që strehon zyrat qeveritare të Nepalit, është sulmuar në mënyrë të ngjashme nga turma protestuesish.
Brenda këtij kompleksi ndodhet zyra e kryeministrit, e cila gjithashtu është shënjestruar. Kryeministri Sharma Oli ka dhënë dorëheqjen pas protestave masive dhe të dhunshme kundër korrupsionit, nepotizmit dhe vendimit për mbylljen e dhjetëra platformave të mediave sociale, përfshirë Facebook dhe YouTube.
Përmes një deklarate, kryeministri njofton se po dorëhiqet për t’i hapur rrugën një zgjidhjeje kushtetuese për krizën aktuale. Prej ditësh kanë vazhduar protestat masive në kryeqytetin Katmandu dhe përreth Nepalit. Rezidencat e shumë politikanëve të nivelit të lartë janë sulmuar dhe vandalizuar. (A2 Televizion)