Bojkoti i procesit mësimor në universitetet publike në vendin tonë, i thirrur nga Sindikata e Punonjësve të Universiteteve, duket se nuk ka gjetur përkrahje nga universitetet në rrethe. Në rastin më të mirë, në pak universitete bojkoti ka qenë minimal, ndërsa në disa të tjera procesi mësimor ka vijuar normalisht.
Në Korçë, thirrjes për bojkot i janë përgjigjur një numër i vogël pedagogësh dhe studentësh, krahasuar me numrin e përgjithshëm të tyre.
Edhe në Universitetin e Durrësit “Aleksandër Moisiu”, bojkoti ka qenë i pjesshëm. Një pjesë e studentëve dhe pedagogëve ishin të pranishëm në auditorë, ndërsa për pjesën tjetër nuk dihet nëse kanë marrë pjesë në mësim. Universiteti nuk kishte gjallërinë e zakonshme, por nuk kishte as protestë.
Në Universitetin “Ismail Qemali” të Vlorës, thirrja për bojkot nuk ka gjetur asnjë përkrahje. Këtu, të gjithë pedagogët dhe studentët kanë zhvilluar një ditë normale mësimi, sipas orareve të përcaktuara.
Ndërsa në Universitetin “Eqrem Çabej” të Gjirokastrës, sindikata e punonjësve të universiteteve nuk njihet fare, pasi asnjë nga stafi i këtij universiteti nuk bën pjesë në këtë sindikatë. (A2 Televizion)