Mashtrimet online rrisin trafikimin e qenieve njerëzore

Nga A2 CNN
9 Korrik 2025, 09:05 | Bota

Mashtrimet online rrisin trafikimin e qenieve njerëzore

Interpol thotë se qendrat e mashtrimit, të cilat përdorin viktimat e trafikimit për të ushtruar aktivitetet kriminale të tyre, janë kthyer në rrezik botëror.

Trafikimi i qenieve njerëzore, i “furnizuar” nga mashtrimet online, është rritur ndjeshëm në mbarë botën, sipas një studimi mbi prirjet kriminale të kohëve të fundit, kryer nga agjencia ndërkombëtare policore, Interpol.

Fillimisht skema e qendrave të trafikimit, ku viktimat detyroheshin me forcë të merrnin pjesë në mashtrimet në internet, u krijua në shtetet e Azisë Juglindore, por hetuesit kanë zbuluar së fundi të njëjtën skemë edhe në rajone të tjera.

Si ka ndryshuar shtrirja në hartë?

Sipas Interpolit  viktimat janë nga 66 vende të ndryshme të të gjitha kontinenteve, duke bërë që fenonemi të shndërrohet në “krizë botërore” dhe duke përfshirë mijëra vetë.

Qendrat e mashtrimit po rriten me shpejtësi edhe në Lindjen e Mesme, Afrikën Perëndimore – rajoni me rritjen më të shpejtë – dhe Amerikën Qendrore.

Viktimat shpesh joshen nga oferta të rreme pune dhe mbahen peng përmes mashtrimeve. Shumë prej tyre shantazhohen me borxhe, dhunohen, shfrytëzohen seksualisht dhe në disa raste torturohen ose përdhunohen.

Brenda këtyre qendrave ata detyrohen të ushtrojnë mashtrime online, kryesisht duke shenjestruar njerëzit jashtë vendit, me qëllimin për t’u vjedhur paratë.

Në vitin 2024, një operacion i Interpol zbuloi dhjetëra raste ku viktimat detyroheshin të kryenin mashtrime në internet, përfshirë këtu edhe bastisjen e një “industrie” mashtrimi në Filipine.

Në të njëjtin vit, policia zbërtheu një bazë trafikimi në Namibi, ku 88 të rinj detyroheshin me forcë që të mashtronin të tjerë.

Teknologjitë e reja po “furnizojnë” këtë tendencë të re të botës së krimit. Inteligjenca Artificiale po krijon reklama të rreme punësimi dhe profile “deepfake” për shantazhet me natyrë seksuale.

Cilat janë viktimat?

Interpol thotë se numri i atyre që bien pré e këtij rrjeti është rritur ndjeshëm. Nëse më parë viktimat e trafikimitishin kryesisht njerëz që flisnin gjuhën kineze, dhe origjina e vendeve ishte Kina, Malajzia, Tajlanda apo Singapori, tani të trafikuarit vijnë edhe nga vende si Amerika Latine, Afrika Lindore dhe Europa Perëndimore.

“Lufta ndaj këtij rreziku botëror që po rritet shumë shpejt, kërkon përgjigje të koordinuar ndërkombëtare” – tha shefi në detyrë i shërbimeve policore pranë Interpol, Cyril Gout.

Cilët janë trafikantët?

Sipas raportit, rreth 90% e trafikantëve janë nga Azia, dhe pjesa tjetër nga Amerika Latine dhe Afrika. Rreth 80% e tyre janë meshkujt, 61% prej të cilëve të moshës 20-39 vjeç.

Qendrat e mashtrimit online fillimisht ishin të përqendruara në Kamboxhia, ndërsa më vonë u zbuluan baza trafikimi edhe në Laos dhe Myanmar. Ditët e sotme, aktivitete të paligjshme të ngjashme janë identifikuar edhe në të paktën 4 shtete aziatike. Provat tregojnë se e njëjta skemë po përhapet në rajone të tjera si Afrika Perëndimore, ku krimi kibernetik financiar vepron rëndom.

Në gjetjet e Interpol paralajmërohet se përhapja e rrjeteve të tilla kriminale kërkojnë veprim urgjent dhe të koordinuar, në mënyrë që të ndërpritet itinerari i trafikimit dhe të ndihmohen viktimat.

Një tjetër risi e këtij trafiku, sipas Interpol, është ndërthurja e këtyre bazave me krimet të tjera madhore transnacionale, duke kërkuar kështu edhe një përgjigje të koordinuar në shkallë botërore.

Shtigjet e trafikimit të përdorura për qendrat e mashtrimit përdoren gjithashtu për trafik droge dhe armësh zjarri, duke vënë kështu në rrezik edhe botën e egër, veçanërisht për specie si tigri dhe pangolinët./ DW (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos