Policia e Tiranës ka finalizuar me sukses operacionin “Crossline”, i cili kishte në fokus goditjen e një rrjeti kriminal të përfshirë në trafikimin e shtetaseve të huaja me qëllim shfrytëzimin për prostitucion.
Në kuadër të këtij operacioni u arrestua në flagrancë shtetasi K. P., 20 vjeç, banues në Tiranë, i cili dyshohet se në bashkëpunim me një shtetas kolumbian, ende të paidentifikuar, kishte organizuar trafikun e disa femrave të huaja në Shqipëri.
Sipas hetimeve, viktimat, kryesisht nga Kolumbia dhe Panamaja, ishin rekrutuar dhe trafikuar për t’u shfrytëzuar për qëllime prostitucioni.
Gjatë operacionit u proceduan penalisht edhe 7 shtetase të huaja,6 nga Kolumbia dhe 1 nga Panamaja, të moshave nga 27 deri në 35 vjeç. Ato u kapën në flagrancë duke ushtruar prostitucion në një apartament me qira ditore në rrugën “Gjon Muzaka”, në Tiranë.
Gjatë kontrollit në apartament u sekuestruan një shumë parash e dyshuar si e përfituar nga veprimtaria e kundërligjshme, 7 telefona celularë si dhe sende të tjera të cilat do të shërbejnë si prova materiale.
Policia po vijon punën për identifikimin dhe kapjen e bashkëpunëtorit kolumbian të shtetasit të arrestuar, si dhe për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale. (A2 Televizion)