“Kontrollohuni një javë para pushimeve”, këshillat e vyera të Bratajt për ditët e nxehta të verës

Nga A2 CNN
9 Korrik 2025, 13:22 | Sociale

Kreu i Urgjencës Kombëtare, Skënder Brataj, ka dhënë disa këshilla të rëndësishme për të moshuarit, por edhe për të gjithë qytetarët, për të përballuar temperaturat e larta të këtyre ditëve.

I ftuar në Ditarin e Mesditës në A2 CNN me gazetaren Loneta Progni, Brataj theksoi se informimi dhe kujdesi janë thelbësorë, veçanërisht për personat me probleme kardiovaskulare dhe diabet.

“Çdo qytetar duhet të dijë nëse ka një sëmundje, nëse lëviz, cilat mund të jenë pasojat. Sigurisht që duhet të shkojnë me pushime sepse vera prandaj është, por duhet të kenë parasysh disa gjëra: oraret kur duhet dhe nuk duhet të ekspozohen dhe patologjitë që mund të kenë”, u shpreh Brataj.

Ai rekomandoi që personat me sëmundje kronike, sidomos kardiovaskulare dhe diabetikët, të bëjnë kontrolle një javë para pushimeve, për të monitoruar presionin e gjakut, oksigjenin dhe nivelin e sheqerit.

Brataj këshilloi të shmangen daljet në orët më të nxehta të ditës, nga ora 11:00 deri në 17:00, të qëndrohet në ambiente të freskëta dhe të përdoret ajri i kondicionuar në temperaturë të moderuar, rreth 22 gradë.

Ai apeloi edhe për kujdes në rast emergjence: “Nëse një person nuk është i ndërgjegjshëm, mos i jepni ujë sepse mund të kalojë në rrugët e frymëmarrjes. Dhe jo çdo personi që është në tokë duhet t’i hidhet ujë. Kjo manovër, sidomos në traumë, mund të shkaktojë të vjella, lëvizje të pakontrolluara dhe nëse ka fraktura, mund të shkaktojë pasoja të rënda.” (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos