Banka Qendrore e Holandës rekomandon që familjet të kenë një sasi të mjaftueshme parash në shtëpi për të mbuluar nevojat themelore për të paktën tre ditë, në rast emergjence.
Edhe pse mund të duket e vjetëruar në një kohë kur Inteligjenca Artificiale ka përparuar kaq shumë, ky paralajmërim është ende shumë i rëndësishëm dhe serioz. Banka thekson se një sulm kibernetik masiv ose një çregullim teknik në sistemet e pagesave mund të lërë qytetarët pa mundësi për të blerë madje edhe produktet më thelbësore, shkruan A2.
Përgatitja për tre ditë emergjente është një masë e rekomanduar, me Bankën që sugjeron që çdo familje të ketë të paktën 70 euro për të rritur dhe 30 euro për fëmijë në para të gatshme, për të mbuluar shpenzimet për ushqim, ujë, ilaçe dhe transport gjatë një periudhe emergjente 72-orëshe. Ky është minimumi i nevojshëm për të siguruar mbijetesën në kushte të tilla dhe lidhet me direktivën evropiane për sigurinë ushqimore në periudha krize, që ka shqetësuar qytetarët europianë.
Kjo përgatitje është një pasojë e rrezikut në rritje nga sulmet kibernetike, që po shoqërohen me tensione gjeopolitike, të cilat mund të shkaktojnë sulme ndaj infrastrukturës kritike, përfshirë sistemet bankare dhe ato të pagesave elektronike. Banka e Holandës përmendi, gjithashtu, ndërprerjen e energjisë në Spanjë dhe Portugali vitin e kaluar, e cila shkaktoi ndërprerje të përkohshme të sistemeve të pagesave elektronike. Po ashtu, u rekomandua që tregtarët të ofrojnë mundësi alternative të pagesës, si p.sh. skanerët për kodet QR, për të mundësuar pagesat edhe në rast se sistemet tradicionale nuk funksionojnë.
Në Suedi dhe Norvegji, po ashtu, janë bërë hapa të ngjashëm. Ministria Suedeze e Mbrojtjes shpërndau një fletëpalosje në çdo shtëpi me këshillën për të mbajtur para në dorë dhe për të pasur të paktën një javë para për t’u përgatitur për emergjenca. Banka Qendrore Suedeze thekson se është e rëndësishme që të forcohet përgatitja dhe të sigurohet që të gjithë qytetarët të mund të paguajnë, përfshirë përmes përdorimit të parave fizike, edhe në kushte krize. (A2 Televizion)