Mbështetja nga VIP-at në fushatë/ Trump godet Kamala Harris, duhet “një hetim i madh”

Nga A2 CNN
19 Maj 2025, 13:53 | Bota

Mbështetja nga VIP-at në fushatë/ Trump godet Kamala Harris,

Donald Trump njoftoi sot se dëshiron të nisë një "hetim të madh" mbi mbështetjen që ish-kundërshtarja e tij në garën presidenciale Kamala Harris mori nga personazhet e famshëm, duke vazhduar përballjen që filloi javën e kaluar me këngëtarin e famshëm të rokut Bruce Springsteen.

"Sa para i pagoi Kamala Harris, Bruce Springsteen për performancën e tij të dobët gjatë fushatës së saj presidenciale?", pyeti Trump në një postim në Truth Social, duke iu referuar paraqitjes së këngëtarit të famshëm në një tubim fushate të Harris në shtetin e Xhorxhias disa javë para zgjedhjeve presidenciale.

"Kandidatët nuk lejohen të paguajnë për donacionet, gjë që e bëri Kamala duke u shtirur sikur paguan për argëtim. Për më tepër, ishte një përpjekje shumë e kushtueshme dhe e dëshpëruar për të rritur artificialisht turmat e vogla që ajo po tërhiqte në tubimet e saj të fushatës”, shkroi Trump më tej.

Presidenti amerikan nënvizoi se kjo "nuk është ligjore”. "Do të kërkoj një hetim të plotë për këtë çështje", theksoi Trump.

Gjatë fushatës së saj zgjedhore të vitit 2024, Harris u mbështet nga yjet e mëdhenj të muzikës dhe televizionit, si Beyoncé dhe Oprah Winfrey.

Winfrey tashmë ka mohuar se kompania e saj e prodhimit mori një milion dollarë nga ekipi i fushatës së ish-zëvendëspresidentes së SHBA-ve. Për më tepër, ekipi i Harris ka mohuar thashethemet se ajo e pagoi Beyonce-n për t'u shfaqur në një aktivitet fushate.

Javën e kaluar, Trump e sulmoi ashpër Springsteen, duke thënë se "nuk më ka pëlqyer kurrë”.

Nuk më ka pëlqyer kurrë muzika e tij apo politikat e tij ekstremistike të majta", deklaroi Presideni dhe e quajti këngëtarin një "idiot" pas komenteve që bëri gjatë një koncerti në Mançester të Anglisë.

Atdheu im, Amerika që dua, Amerika për të cilën kam shkruar, e cila ka qenë një dritë shprese dhe lirie për 250 vjet, është aktualisht në duart e një qeverie të korruptuar, të paaftë dhe të pabesë”, u ankua Springsteen në koncert, duke i kërkuar publikut të ngrinte zërin kundër autoritarizmit dhe ta linte lirinë të triumfonte. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos