
Presidenti i Donald Trump ka njoftuar se anëtarët e Bordit të Paqes kanë premtuar mbi 5 miliardë dollarë ndihmë për Gazën, në kuadër të përpjekjeve për rindërtim dhe stabilizim humanitar.
Në një postim në Truth Social, Trump bëri të ditur se zotimi formal për financimin do të shpallet më 19 shkurt 2026 në Uashington, në Institutin “Donald J. Trump Institute of Peace”.
"Më 19 shkurt 2026, do të jem përsëri bashkë me Anëtarët e Bordit të Paqes në Institutin e Paqes Donald J. Trump në Uashington, ku do të njoftojmë se Shtetet Anëtare kanë premtuar më shumë se 5 miliardë dollarë për përpjekjet Humanitare dhe të Rindërtimit në Gaza, dhe kanë angazhuar mijëra personel në Forcën Ndërkombëtare të Stabilizimit dhe Policinë Lokale për të ruajtur Sigurinë dhe Paqen për banorët e Gazës", shkroi Trump, raportojnë mediat amerikane, përcjell A2 CNN.
"Shumë e rëndësishme është që Hamasi duhet të respektojë angazhimin e tij për çmilitarizim të plotë dhe të menjëhershëm. Bordi i Paqes do të dëshmojë se është Organi Ndërkombëtar më i rëndësishëm në histori dhe është nder për mua të shërbej si Kryetar i tij", shtoi ai.
Edhe Shqipëria është ftuar të jetë pjesë e Boordit të Paqes. Pak ditë më parë A2 CNN mësoi se kryeministri Edi Rama pritet të shkojë në Uashington, në mbledhjen e parë të Bordit të Paqes, e cila është parashikuar të mbahet më 19 shkurt.
Izraeli iu bashkua zyrtarisht Bordit të Paqes javën e kaluar, përpara takimit të kryeministrit Benjamin Netanyahu me Trump në Shtëpinë e Bardhë.
Ceremonia fillestare e nënshkrimit të kartës së Bordit u mbajt në janar në Davos të Zvicrës, me pjesëmarrjen e liderëve nga 17 vende të Amerikës Latine, Europës, Lindjes së Mesme dhe Azisë. Shtëpia e Bardhë ka ftuar gjithashtu vende të tjera si Rusia, Bjellorusia, Franca, Gjermania, Vietnami, Finlanda, Ukraina, Irlanda, Greqia dhe Kina, ndërsa Polonia dhe Italia kanë deklaruar se nuk do t’i bashkohen nismës.
Ndërkohë, SHBA ka shtuar praninë ushtarake në rajon. Aeroplanmbajtësja USS Abraham Lincoln dhe shkatërruesi me raketa të drejtuara USS Michael Murphy janë dislokuar teksa përfaqësues amerikanë zhvillojnë takime me zyrtarë iranianë në Oman. Anije të tjera luftarake amerikane janë pozicionuar në Mesdheun Lindor, Detin e Kuq, Gjirin Persik dhe Detin Arabik, në një periudhë tensioni të lartë rajonal. (A2 Televizion)