
Një delegacion ukrainas ju drejtua Gjenevës këtë të hënë, për një raund të ri bisedimesh të ndërmjetësuara nga SHBA me zyrtarët rusë, në prag të përvjetorit të katërt të luftës ruse në Ukrainë. E megjithatë pritshmëritë për ndonjë rezultat janë të ulëta, teksa nuk ka pasur sinjale për ndonjë progres të rëndësishëm për t’i dhënë fund luftës.
Të dyja palët duket se nuk lëvizin nga pozicionet e tyre mbi çështjet kyçe, edhe pse SHBA ka vendosur Qershorin si afat për arritjen e një marrëveshje. Pika më e nxehtë mbetet fati i rajonit lindor të Donbasit, ku Rusia pretendon të sigurojë edhe territoret që ende nuk i kontrollon.
Zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov deklaroi të hënën se gjatë bisedimeve në gjeneve këtë javë, do të trajtohen një sërë çështjesh të lidhura me territoret dhe të tjera që kanë të bëjnë me kërkesat e Moskës, siç u shpreh pa dhënë detaje të tjera.
Peskov njoftoi se edhe shefi i inteligjencës ushtarake në rusi, Igor Kostyukov do të marrë pjesë në negociata, ndërsa i dërguari i posaçëm i Putin Kirill Dmitriev do të zhvillojë bisedime të ndara me një grup të posaçëm pune për çështje ekonomike.
Delegacioni ukrainas do të udhëhiqet nga Rustem Umerov, shefi i këshillit të sigurisë dhe mbrojtjes. Mbrojtësit ukrainas vazhdojnë të jenë të përfshirë në një luftë rraskapitëse me ushtrinë më të madhe të Rusisë përgjatë vijës së frontit prej rreth 1,250kilometrash.
Civilët ukrainas përballen me sulme të përsëritura ajrore të Moskës që po shkaktojnë ndërprerje të energjisë elektrike e po shkatërrojnë shtëpi, ndërsa Ukraina ka zhvilluar dronë që mund të depërtojnë thellë në territorin rus dhe të godasin rafineritë e naftës dhe depot e armëve.
Guvernatori i rajonit perëndimor rus të Bryanskut tha të hënën se mbrojtja ajrore kishte rrëzuar 229 dronë ukrainas gjatë 24 orëve të fundit. Sipas tij, asnjë rajon tjetër rus nuk është përballur me kaq shumë sulme të njëkohshme me dronë brenda një dite të vetme.
Forcat ajrore të Ukrainës ndërkohë, thanë se Rusia kishte lëshuar 62 dronë me rreze të gjatë dhe 6 raketa të llojeve të ndryshme rreth vendit. Moska pretendon se ka marrë kontrollin e 12 fshatrave gjatë muajit shkurt pavarësisht motit të acartë. (A2 Televizion)