Mbi 600 dronë ukrainas drejt Moskës gjatë natës

Nga A2 CNN
16 Gusht 2026, 09:41 | Bota

Mbi 600 dronë ukrainas drejt Moskës gjatë natës

Mbi 600 dronë ukrainas u lëshuan gjatë natës në drejtim të Moskës, sipas kryetarit të bashkisë së kryeqytetit rus, Sergei Sobyanin. Ai deklaroi se mbi 200 dronë u shkatërruan në rajonin e Moskës, ndërsa autoritetet raportuan në total më shumë se 130 dronë të rrëzuar që po i afroheshin kryeqytetit.

Si pasojë e sulmit, të paktën tre persona u plagosën. Shërbimet e emergjencës u dërguan në zonat ku ranë mbetjet e dronëve.

Në të njëjtën kohë, sulmet ajrore ruse në Ukrainë shkaktuan të paktën një viktimë dhe plagosjen e shtatë personave. Në Kryvyi Rih, qytetin e lindjes së presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky, një grua humbi jetën dhe gjashtë persona u plagosën nga një sulm i kombinuar me raketa balistike dhe dronë. Autoritetet raportuan gjithashtu dëme në dy objekte industriale.

Edhe kryeqyteti ukrainas, Kiev, u vu nën alarm për sulm ajror pak para orës 02:00. Kryebashkiaku Vitali Klitschko tha se qyteti ishte nën sulm me raketa balistike dhe u bëri thirrje banorëve të qëndronin në strehimore. Sulmet shkaktuan zjarre në zona jo-rezidenciale dhe plagosën një person.

Kremenchuk, në rajonin e Poltavës, u godit gjithashtu nga sulmet ruse, ndërsa autoritetet lokale nuk raportuan menjëherë detaje të tjera mbi dëmet apo viktimat.

Sulmet e ndërsjella me raketa dhe dronë janë intensifikuar ndjeshëm, me Ukrainën që ka goditur gjithnjë e më shpesh objektiva ushtarake, industriale dhe logjistike në territorin rus, ndërsa Rusia vijon sulmet pothuajse të përditshme ndaj qyteteve dhe infrastrukturës ukrainase. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos