Kriminaliteti po zhvendoset gjithnjë e më shumë në hapësirën digjitale, ndërsa krimet kibernetike në Shqipëri janë rritur me rreth 155% në tre vitet e fundit. Në Tiranë, vetëm deri më 10 gusht janë arrestuar 19 persona në 9 operacione të finalizuara nga Sektori për Hetimin e Krimeve Kibernetike.
Ndërsa vjedhjet dhe mashtrimet tradicionale kanë shënuar rënie, kriminaliteti po zhvendoset gjithnjë e më shumë në hapësirën digjitale. Të dhënat e INSTAT tregojnë se, në tre vitet e fundit, krimet kibernetike janë rritur me rreth 155 për qind, duke u bërë më shumë se dy herë e gjysmë më të shumta. Paralelisht, numri i personave të dyshuar për këto vepra është pothuajse pesëfishuar.
Shifrat tregojnë një ndryshim të profilit të kriminalitetit në Shqipëri, ku përdorimi në rritje i teknologjisë dhe shërbimeve online shoqërohet edhe me shtimin e veprave penale në mjedisin digjital.
Në Tiranë, tendenca konfirmohet edhe nga aktiviteti i strukturave të Policisë së Shtetit. Gjatë vitit 2025, Sektori për Hetimin e Krimeve Kibernetike në Tiranë finalizoi 8 operacione, me 12 persona të arrestuar dhe 3 të proceduar në gjendje të lirë.
Ndërsa deri më 10 gusht 2026, janë finalizuar 9 operacione dhe janë arrestuar 23 shtetas. Në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, numri i arrestimeve është rritur me 50 përqind. Operacionet janë përqendruar kryesisht në goditjen e lojërave të fatit, por edhe në hetimin e veprave të tjera kriminale të kryera përmes teknologjisë.
Pajisje celulare dhe kompjuterike të përdorura për aktivitetet e paligjshme janë sekuestruar si prova materiale. Shifrat tregojnë qartë se beteja kundër kriminalitetit po zhvendoset gjithnjë e më shumë edhe në botën virtuale. (A2 Televizion)