
Pesë nga 6 të lënduarit nga zjarri që përfshiu një godinë në Lungomare janë shtetas të Kosovës. Këtë bën të ditur Policia e Vlorës, e cila ka dhënë detaje nga zjarri në orët e para të mëngjesit të sotëm në një hotel në lagjen “10 Korriku” në Vlorë.
Sipas informacionit paraprak të Policisë, ngjarja është shënuar rreth orës 04:05. Të lënduarit janë pesë shtetas të Kosovës dhe një shtetas nga Rrësheni.
Pesë prej tyre janë transportuar për mjekim të specializuar në Spitalin e Djegieve në Tiranë, ndërsa një tjetër po merr ndihmë mjekësore në Spitalin Rajonal të Vlorës. Dy prej të lënduarve kanë pësuar djegie të konsiderueshme në trup.
Nga zjarri janë shkaktuar edhe dëme materiale në ambientet e hotelit.
Pas veprimeve hetimore, përfshirë këqyrjen e pamjeve të kamerave të sigurisë, policia ka përcaktuar paraprakisht se zjarri ka qenë aksidental. Sipas hetimeve, flakët janë shkaktuar nga djegia e prizës elektrike të një frigoriferi, i cili ndodhej në ambientet e restorantit.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon veprimet procedurale për dokumentimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.
(A2 Televizion)