Zjarri përfshin një godinë në Lungomare, pushuesit hidhen nga dritaret për të shpëtuar

Nga A2 CNN
16 Gusht 2026, 08:58 | Kronikë

Zjarri përfshin një godinë në Lungomare, pushuesit hidhen

Një zjarr ka përfshirë një godinë në zonën e Lungomares në Vlorë, ku ndodhet edhe një hotel. Sipas informacioneve paraprake, flakët kanë nisur në një lokal në katin e parë të godinës dhe më pas janë përhapur në katin e dytë, ku ndodhej hoteli, si dhe në fasadën e pallatit.

Në vendngjarje kanë mbërritur menjëherë forcat e Policisë dhe shërbimet zjarrfikëse, të cilat kanë bërë të mundur lokalizimin e flakëve. Për shkak të rrezikut, godina është evakuuar.

Si pasojë e zjarrit, disa persona kanë mbetur të dëmtuar dhe janë transportuar për ndihmë mjekësore në Spitalin e Vlorës. Sipas të dhënave paraprake, 7 persona janë dërguar në spital, ndërsa 3 prej tyre janë nisur drejt Tiranës për trajtim më të specializuar. Katër të dëmtuar të tjerë ndodhen në sallën e operacionit.

Mësohet se 6 prej të dëmtuarve janë shtetas të Kosovës, ndërsa një tjetër është shtetas nga Rrësheni.

Për t’u shpëtuar flakëve dhe tymit, disa prej personave që ndodheshin në godinë kanë dalë nga dritaret, duke u hedhur prej tyre.

Ndërkohë, shërbimet e Policisë dhe strukturat përkatëse kanë nisur hetimet për të përcaktuar shkaqet dhe rrethanat e zjarrit. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos