Të paktën 62 persona u vranë në Gaza, si pasojë e sulmeve ajrore izraelite gjatë natës.
Rreth 9 zona të ndryshme u goditën në jug të territorit, me shumicen e viktimave që u shënuan në qytetin e Kan Junis, shkruan A2.
Më në veri, Izraeli urdhëroi banorët të largohen nga pjesë të qytetit të Gazës duke paralajmëruar se ushtria e vet do të sulmonte me forcë intensive. Sulmet ajrore vijnë teksa bllokada izraelite ndaj ndihmave që hyjnë në Gaza vijon, e asnjë furnizim nuk është lejuar të hyjë në vend për 10 javë.
Dëshmi drithëruese të qytetarëve të drobitur jo vetëm nga lufta, por edhe nga uria, vijnë nga enklava e rrethuar. Agjenci të ndryshme të ndihmave i bien këmbanave të alarmit për përkeqësimin e shpejtë të situatës humanitare.
Në shënjestër të sulmeve ajrore izraelite janë vënë edhe spitalet, me dy të tillë të goditur brenda një dite. Dhjetëra persona të shtruar apo strehuar atje u vranë dhe u plagosën. (A2 Televizion)