Në Katar është thirrur një samit i jashtëzakonshëm arabo-islamik pas sulmit izraelit të javës së kaluar, ku humbën jetën pesë anëtarë të Hamasit dhe një oficer sigurie nga Katari.
Takimi zhvillohet në Doha, duke mbledhur liderë dhe zyrtarë të lartë nga vendet arabe dhe myslimane për të diskutuar zhvillimet e fundit në Lindjen e Mesme, shkruan A2 CNN.
Presidenti turk, Rexhep Tajip Erdogan, udhëtoi drejt kryeqytetit të Katarit i shoqëruar nga bashkëshortja, Emine Erdogan, shefi i inteligjencës Ibrahim Kalin, këshilltari për politikë të jashtme Akif Çağatay Kiliç, drejtori i komunikimit të presidencës Burhanettin Duran dhe nënkryetari i AKP-së, Halit Yerebakan.
Vizita e Erdogan vjen vetëm pak ditë pas qëndrimit në Doha të ministrit të Jashtëm turk, Hakan Fidan, ndërsa pritet që diskutimet të përqendrohen në koordinimin rajonal dhe në reagimin e përbashkët ndaj zhvillimeve të fundit në Gaza. (A2 Televizion)