Mbrojtje ajrore për Ukrainën, Biden akuzon Putin: Dëshiron rrëzimin e rendit botëror

Nga A2 CNN
10 Korrik 2024, 11:42 | Bota

Me një fjalim tepër energjik mirëpriti liderët e botës në samitin e 75-vjetorit të NATO-s. Presidenti amerikan, Joe Biden, menjëherë drejtoi gishtin nga armiku kryesor i aleancës.

“Autokratët duan të përmbysin rendin global, i cili në përgjithësi është ruajtur për gati 80 vjet e shumë më tepër. Grupet terroriste vazhdojnë të komplotojnë skema të liga dhe të shkaktojnë kaos, trazira dhe vuajtje. Në Europë, lufta e agresionit të Putinit kundër Ukrainës vazhdon dhe Putini nuk dëshiron asgjë më pak se nënshtrimin total të Ukrainës”, tha presidenti amerikan.

Përballë këtij kërcënimi, njoftoi një ndihmë të madhe për Ukrainën që të mbrojë qiellin e saj.

“Mos dyshoni për asnjë moment, Ukraina mundet dhe do ta ndalojë Putinin. Veçanërisht me mbështetjen tonë kolektive dhe të plotë. Me dhjetra partnerë kanë firmosur marrëveshje bilaterale të sigurisë me Ukrainën. Sot po njoftoj një donacion historik në pajisje të mbrojtjes ajrore. Shtetet e Bashkuara, Gjermania, Holanda, Rumania dhe Italia do të pajisin Ukrainën me 5 sisteme të tjera strategjike të mbrojtjes ajrore. Në muajt në vijim, SHBA-të dhe partnerët tanë synojnë që të furnizojnë Ukrainën dhe dhjetëra sisteme të tjera taktike të mbrojtjes ajrore. Gjithashtu ne do të sigurohemi që të eksportojmë interceptorët kritike të mbrojtje ajrore që Ukraina të shkojë në frontin e luftës”, shtoi Biden.

Kreu i Shtëpisë së Bardhë garantoi ata që i druhen largimit të Shteteve të Bashkuara nga NATO se amerikanët e kuptojnë mirë rëndësinë e mbrojtjes nga aleanca. Për këtë frikë foli dhe presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenski, duke konfirmuar se të gjithë sytë e botës janë drejtuar nga Amerika në pritje të zgjedhjeve të nëntorit. 

“Ne kemi nevojë sot për atë lidership, pa pritur nëntorin. Koha për të vepruar është tani. Duhen veprime të përditshme që jeta të fitojë. Që armiqtë tanë, si Putini, të kenë frikë nga veprimet tona. Biden dhe Trump janë shumë të ndryshëm por të dy mbështesin demokracinë. Ndaj mendoj, që Putini do ti urrejë të dy. Unë nuk e di kush do jetë presidenti I Amerikës. Shpresoj që Amerika të mos jetë kurrë jashtë NATO, ndryshe, bota do humbasë shumë shtete për shkak të njerëzve si Putini, shtete të vogla që mbështeten tek Amerika”, tha presidenti ukrainas.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, pasi mori nderimin më të madh nga presidenti amerikan, medaljen e nderit, shkoi në Departamentin e Shtetit ku njoftoi se do të ketë vendime për Ukrainën në këtë samit të Uashingtonit.

Aleanca pritet që të garantojë ndihma të reja ushtarake, por edhe një rrugë të pakthyeshme për pranimin e Ukrainës në bllokun e fuqishëm. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos