Donald Trump mbron vendimin e tij për faljen e rreth 1600 mbështetësve të dënuar për sulmin e 4 viteve më parë në Kongres.
“Jetët e tyre janë shkatërruar”, thekson presidenti amerikan. Duke folur në një konferencë për shtyp në ditën e parë të plotë në drejtim të Shtëpisë së Bardhë, Trump njoftoi se po konsideron vendosjen e një tarife prej 10% ndaj importit të mallrave nga Kina, shkruan A2 CNN.
“Po mendojmë për një tarifë 10% ndaj Kinës të bazuar në faktin se ata po dërgojnë fentanyl në Meksikë dhe Kanada. Ndoshta masa do të hyjë në fuqi më 1 shkurt”, tha Trump.
Një kërcënim për vendosje tarifash pati edhe ndaj Bashkimit Europian.
“Kemi dhe vende të tjera që abuzojnë, jo vetëm Kina. Natyrisht që Kina përfiton nga ne, por edhe Bashkimi Europian sillet shumë keq me ne. Ata nuk marrin makinat tona. As produktet e fermerëve tanë. Ne kemi një deficit prej 350 miliardë dollarësh me Bashkimin Europian. Ata na trajtojnë ne shumë keq. Kështu që duhet të përgatiten për tarifa. Është e vetmja mënyrë që të sillen drejt me ne”, u shpreh Trump.
Trump zyrtarizoi edhe mbylljen e skemës për diversitet, barazi dhe gjithëpërfshirje. Që në orët e para të nisjes së punës si president firmosi me qindra urdhra dhe dekrete ekzekutive, prej tyre edhe shpalljen e gjendjes së emergjencës në kufirin jugor me Meksikën dhe u zotua të niste një fushatë për dëbimin e emigrantëve të paligjshëm që kanë kryer krime.
Por, ndërkohë, një total prej 22 shtetesh amerikane kanë nisur procedurat ligjore për të sfiduar urdhrin ekzekutiv me të cilin Trump synon që të heqë të drejtën e marrjes së shtetësisë amerikane në lindje për të huajt që sjellin fëmijën e tyre në jetë brenda territorit të SHBA-ve. Presidenti hoqi dhe rekomandimin që parandalonte shënjestrimin e shkollave apo kishave në operacionet kundër emigracionit. (A2 Televizion)