Ish-deputetja e Partisë Demokratike, Rudina Hajdari, ka komentuar protestat e studentëve kundër qeverisë, duke ngritur pyetjen nëse Shqipëria po përballet me një diktator.
Ajo bëri një paralelizëm mes situatës aktuale dhe asaj të viteve të fundit të komunizmit, duke u kërkuar studentëve të shohin pamjet e takimeve të studentëve me Ramiz Alinë.
E ftuar në emisionin “Off the Record” nga Andrea Danglli në A2CNN, Hajdari tha se protestuesit duhet të përcaktojnë nëse e konsiderojnë vendin demokratik apo diktatorial, duke theksuar se diktatorët nuk japin dorëheqjen. Ajo u shpreh se kërkesat e studentëve të sotëm i kujtojnë ato të studentëve të asaj kohe.
“Kushdo që del në shesh duhet të pranojë, që nëse kemi përballë një diktator, diktatorët japin dorëheqje?! Pra duhet të pranojmë a jetojmë në një vend demokratik, apo në një vend diktatorial. Sepse diktatorët nuk japin dorëheqje. Nëse do të marrim situatën e atëhershme, që kishim përballë Ramiz Alinë, i inkurajoj të gjithë studentët ta shikojnë atë video, i ke të gjithë studentët duke i dhënë dorën Ramiz Alisë, duke e respektuar, dhe çfarë thuhet në ato biseda, janë pothuajse të njëjtat të drejta që kërkohen sot. Është një Déjà vu . Unë kam kërkuar, e para, të mos ketë viktima”, tha Hajdari.
“Edi Rama nuk të dëgjon, por unë mendoj që ne si njerëz duhet të bëjmë gjënë e duhur, dhe historia na gjykon të gjithëve. Kush është aty për një llokmë, kush është aty se vërtet do të mirën dhe po mbron interesin e atdheut, kush është aty dhe bën mercenarin e Ramës. Sot e për sot, ne duhet të bëjmë atë që është e duhur, dhe e vërteta gjithmonë fiton, edhe pse vonon”, vijoi ajo.
(A2 Televizion)