Një mesazh i fortë nga Uashingtoni për aleatët evropianë! Kujdes me deklaratat ndaj Rusisë!
Pentagoni u ka kërkuar disa vendeve anëtare të NATO-s, mes tyre Lituanisë, Letonisë dhe Estonisë, të frenojnë retorikën e ashpër kundër Moskës, duke paralajmëruar se deklaratat provokuese mund të minojnë sigurinë e gjithë kontinentit.
Sipas një raportimi të Reuters, zyrtarët amerikanë kanë zhvilluar takime private me përfaqësues të vendeve aleate, ku kanë kërkuar më shumë maturi në komunikimin publik për kërcënimin rus. Në këto bisedime është përfshirë edhe Elbridge Colby, një prej figurave kryesore të Pentagonit, i cili, sipas burimeve, ka theksuar se Evropa duhet të shmangë çdo gjuhë që mund të interpretohet si provokim ndaj Kremlinit.
Ndër deklaratat që kanë tërhequr vëmendjen e zyrtarëve amerikanë janë qëndrimet e disa liderëve evropianë, sipas të cilëve Rusia është vënë me shpatulla pas murit dhe, përballë ngecjes gjithnjë e më të madhe të ofensivës së saj në Ukrainë, po u drejtohet metodave gjithnjë e më të dëshpëruara për të arritur objektivat e saj.
Ky qëndrim vjen në një moment delikat për sigurinë ndërkombëtare, ndërsa administrata Trump po rikthen në tryezë përpjekjet për një marrëveshje që do t'i jepte fund luftës në Ukrainë, tashmë në vitin e saj të pestë. Në këtë strategji, Uashingtoni po kombinon presionin ndaj Kievit me sinjale për lehtësimin e sanksioneve ndaj Moskës.
Por, nga ana tjetër, Evropa mbetet në alarm. Shërbimet perëndimore të inteligjencës kanë ngritur shqetësime për shtimin e operacioneve të dyshuara sabotuese ruse në territorin evropian, përfshirë sulmet ndaj infrastrukturës kritike. (A2 Televizion)