
Mbyllja efektive e Ngushticës së Hormuzit nga Irani pas nisjes së luftës me SHBA-në dhe Izraelin ka nxitur një rritje të kërkesës për naftën bruto amerikane, sipas analistëve të transportit detar dhe tregtisë, raporton A2CNN.
Ngushtica e Hormuzit është një pikë kyçe tranziti për naftën e Lindjes së Mesme, por transporti është ndërprerë rëndë që prej 28 shkurtit.
Në pamundësi për të aksesuar naftën e Lindjes së Mesme përmes kësaj ngushtice, importuesit janë detyruar të kërkojnë furnizues alternativë.
Të dhënat nga firma e analizës detare Kpler tregojnë se 71 cisterna nafte të njohura si Very Large Crude Carriers (VLCCs) janë nisur drejt SHBA-ve për të marrë ngarkesa, krahasuar me një mesatare prej 27 në çdo ditë të zakonshme vitin e kaluar.
“Blerësit nga Europa dhe Azia e panë naftën që ngarkohej nga pellgu i Atlantikut, përfshirë bregdetin e Gjirit të SHBA-ve si një zgjidhje të arritshme dhe të bollshme për të mbushur boshllëkun e furnizimit,” tha David Haydon, drejtues i çmimeve të transportit të cisternave të naftës bruto në SHBA pranë Argus Media, një kompani e inteligjencës së tregut.
Kjo duket se po nxit një rritje të eksporteve të naftës bruto amerikane.
Kompania kërkimore detare Drewry thotë se, në javën që përfundoi më 10 prill, dërgesat arritën në 5.2 milionë fuçi në ditë, niveli më i lartë në shtatë muaj. (A2 Televizion)