
Lideri argjentinas, një nga mbështetësit më të mëdhenj të Izraelit në skenën ndërkombëtare, pranoi Medaljen Presidenciale të Nderit të vendit gjatë një ceremonie në Jeruzalem.
Zyra e Presidentit izraelit, Isaac Herzog, deklaroi se ky çmim u dha në shenjë mirënjohjeje për mbështetjen e Mileit ndaj Izraelit, solidaritetin e tij me familjet e pengjeve që u mbajtën nga Hamasi në Gazë dhe lidhjen e tij me popullin hebre.
“Shteti i Izraelit nuk është vetëm,” tha Herzog. “Ne kemi aleatë dhe kemi miq të shkëlqyer,” shtoi ai, duke vënë në dukje se Milei e ka dëshmuar miqësinë e tij përmes vizitave të tij. Që nga marrja e detyrës në fund të vitit 2023, kjo është vizita e tij e tretë në Izrael.
Gjatë kësaj vizite, Milei dhe Kryeministri Benjamin Netanyahu nënshkruan gjithashtu “Marrëveshjet Isaac”, një iniciativë e lançuar nga presidenti argjentinas për të zgjeruar bashkëpunimin midis Izraelit dhe vendeve të Amerikës Latine.
Përveç dekoratës shtetërore, Milei mori edhe titullin "Doktor Honoris Causa" nga Universiteti Bar Ilan i Izraelit. Të pranishëm në universitet ishin edhe disa ish-pengje izraelitë me origjinë argjentinase. (A2 Televizion)