Ish-Presidenti Amerikan, Donald Trump, ka ironizuar deklaratën e gjykatësit të gjykatës së New-York se do ta burgosë për shkeljen e urdhrit që i ndalon të sulmojë dëshmitarët apo anëtarët e jurisë në procesin ku po gjykohet për falsifikim të të dhënave të biznesit për të fshehur ryshfetin ndaj ish-aktores së filmave pornografikë Stormy Daniels.
“Sinqerisht, Kushtetuta jonë është shumë më e rëndësishme se burgu. Nuk është as afër. Unë do ta bëj atë sakrificë çdo ditë”.
Gjyqtari Huan Merchan tha pak para se të fillonte seanca ndaj ish-presidentit se do ta burgoste nëse ai vijonte të fliste publikisht për anëtarët e jurisë. Por ish-presidenti tashmë e ka shkelur këtë urdhër dhe ka marrë 10 mijë dollarë gjobë që nga fillimi i gjykimit, 1 mijë dollarë për çdo shkelje.
“Unë nuk dua të vendos sanksion me burg dhe kam bërë gjithçka që mundem për të mos e bërë këtë. Por do ta bëj nëse është e nevojshme”, tha gjykatësi Juan Merchan.
Në moshën 77-vjeçare, Donald Trump është bërë ish-presidenti i parë amerikan ndaj të cilit janë ngritur akuza penale. Prokurorët thonë se pagesat për Stormy Daniels synonin që ajo të mos fliste për marrëdhënien e pretenduar me zotin Trump, ndërsa votuesit përgatiteshin të shkonin në qendrat e votimit tetë vite më parë.
Trump i ka mohuar akuzat ndaj tij, por nëse shpallet fajtor mund të dënohet me kusht, apo deri edhe në katër vite burgim. Ai përballet gjithashtu me akuza të tjera penale, për përvetësim të dokumenteve të klasifikuara, përpjekje për të përmbysur rezultatin zgjedhor në Georgia dhe komplot ndaj institucioneve demokratike në SHBA. (A2 Televizion)